Zhytësi italian edhe pas tre muajve po ka probleme me frymëmarrje nga COVID-19

Edhe pse pikun e pandemisë së coronavirusit e ka kaluar pjesa më e madhe e Evropës, e spitalet më nuk janë të stërmbushura, megjithatë mijëra persona që janë shëruar nga COVID-19 vazhdojnë të vuajnë nga simptomat siç është marramendja, humbja e frymëmarrjes dhe plogështi, shkruan CNN.

Një prej tyre është Emiliano Pescarolo, 42-vjeç, zhytësi profesionist nga Italia, i cili në spitalin e Genoas u shërua nga COVID-19 pas 17 ditëve që qëndroi i shtrirë gjatë marsit dhe prillit, kurse tre muaj pas largimit vazhdon të ketë probleme me frymëmarrjen.

Pescarolo ka theksuar se pas lirimit nga spitali, për javë të tëra nuk ka vërejtur ndonjë përparim sa i përket përmirësimit të gjendjes shëndetësore, madje thotë se shëtitjet e shkurtra i duken sikur ngjitja në Everest.

Ai thotë se mbetet pa frymë edhe derisa flet, gjë që po e shqetëson shumë, e kur së bashku me dhjetëra persona tjerë me probleme të ngjashme filluan procesin e rehabilitimit në një klinikë në vendlindje, efektet pozitive filluan të shfaqen menjëherë.

Hulumtimet kanë treguar se COVID-19, nuk dëmton vetëm mushkëritë, por edhe veshkat, mëlçinë, zemrën, trurin, sistemin nervor, lëkurën dhe traktin tretës.