Pesë orë ultimatume, zbardhen debatet në Këshillin Politik mes Ramës, Bardhit e Murrizit

Ora News zbardh debatet mes palëve politike në tryezën e Këshillit Politik që zgjati për 5 orë me radhë. Mësohet se Rama ka shprehur vendosmërinë për të miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ka ftuar opozitën jashtëparlamentare të bëhet pjesë e procesit me propozimet e tyre për të rregulluar edhe çështjen më të nxehtë, heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Partia Demokratike me përfaqësuesit e saj Bardhi dhe Bylykbashi kanë kërkuar miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Bardhi është shprehur se janë indiferentë ndaj kësaj nisme, ndërsa Bylykbashi ka argumentuar se nëse hapen listat, do të duhet të rishikohet pjesa thelbësore e zgjedhjeve.

Bylykbashi ka argumentuar edhe një element tjetër të marrëveshjes  së 5 qershorit që ende nuk po vihet në zbatim siç është ndryshimi i ligjeve që synojne goditjen e shitblerjes se votës si dhe dakortësine për të shkruar një kod të ri zgjedhor, i cili do të hyjë në fuqi në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Nga ana tjetër opozita parlamentare mbetet e pakënaqur me hapjen e pjesshme të listave, ndërsa ka qenë e prerë se nuk do të japë votat e saj për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit.

Rama: Koalicionet nuk ndalohen por natyrisht me hapjen e listave s’mund të ketë me koalicione tradicionale siç janë bërë deri meëtani se bëhet i pamenaxhueshëm procesi. Keni ndonjë merak ju, hajde pyesim ekspertët të na sjellin mendimin pastaj hajde ulemi këtu dhe bëjmë bashkë formulimet e atyre neneve të kodit që preken nga hapja e listave dhe rregullojmë edhe meraqet tuaja për koalicionet me formulimet përkatëse në kod.Marrëveshja do kalojë për votim në seancë, por gjithashtu do kalojë në seancë edhe Kushtetuta në 30 korrik. Nëse doni të bëheni pjesë e këtij procesi, hajdeni dhe jepni kontributin tuaj ashtu sikurse hiqni dhe meraqet që keni.

Opozita parlamentare: Listat nuk i ke hapur plotësisht.

Rama: U tha 1/3, është menduar si mbrojtje për gjininë më pak të përfaqësuar. Nëse gjeni ju një zgjidhje tjetër që garanton kuotat hajde ta diskutojmë.

Bardhi: Ne nuk kemi qenë pjesë as e drafteve të propozimeve, as diskutimeve, as miratimit për ndryshimet në Kushtetutë dhe jemi indiferent, s’na intereson. Miratoni 5 qershorin.

Murrizi: Meqe ju nuk paskeni qenë dhe qenkeni indiferentë, edhe ne nuk kemi qenë pjesë e 5 qershorit tuaj dhe nuk ua votojmë. Gjejini votat ku të doni!

Opozita e bashkuar: Kalo marrëveshjen dhe pastaj flasim për pjesën e Kushtetutës.

Rama: Si kaloi, si nuk kaloi marrëveshja, ndryshimet në Kushtetutë votohen në 30 korrik. Deri atë ditë keni kohë të reflektoni dhe të bëheni pjesë e gjësë nëse keni meraqe.

Bylykbashi: Nga ndryshimi i sistemit zgjedhor preket të paktën 40% e kodit të shkruar me konsensus mes PD-PS. Nëse hapen listat, do të duhet të rishikohet pjesa thelbësore e zgjedhjeve, duke nisur nga fleta e votimit, tek procesi i votimit, tek numërimi, tabulimi i rezultatit, numërimi i votave, procesi ankimor, e në këtë rast vihet në pikëpyetje edhe numërimi i përqëndruar, i cili e vështireson procesin.