Paga mesatare në maj 26.390 denarë, pagat më ta larta në TI, financa dhe farmaci

Shkup, 20 korrik 2020 (MEDIAL) – Paga mesatare në maj është 26.390 denarë dhe sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) shënon rritje prej 4.4 për qind në krahasim me majin e vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara, pagat më të larta, të cilat gjithashtu shënojnë edhe rritjen më të madhe janë në veprimtarinë e informacionit dhe komunikimit. Paga mesatare e paguar në maj në këtë veprimtari, arriti 53,704 denarë dhe shënoi rritje prej 23.7 për qind.

Një rritje prej 12.3 për qind u vërejt edhe në pagat e të punësuarve në arsim, ku paga mesatare në maj arriti në 27.196 dinarë.

Në veprimtaritë e shëndetit dhe mbrojtjes sociale, është regjistruar një rritje prej 8.1 për qind dhe paga mesatare për punonjës është 31,492 denarë.

Në veprimtarinë financiare, paga mesatare në muajin maj ishte 43,731 denarë, në aktivitetet e shërbimit administrativ dhe ndihmës 19.722 denarë, në veprimtarinë e artit, argëtimit dhe rekreacionit 20.698 denarë, në tregti 23.898 denarë.

Në industri, paga mesatare në maj ishte 29,112 denarë, në shërbime 29.065 denarë, aktivitete bujqësore 21.540 denarë, miniera 35,656 denarë, industri përpunuese 21.270 denarë.

Paga mesatare prej 48.280 denarë është paguar në prodhimin e produkteve farmaceutike, në ndërtimtari mesatarja ka qenë 25.062 denarë, në transport 24,279 denarë.

Rritje e pagës mesatare mujore të paguar për punonjës, në krahasim me muajin e kaluar është regjistruar në sektorët: informacion dhe komunikim për 15.5 për qind, ndërtimtari për 5.2 për qind dhe veprimtari financiare dhe sigurime për 4.6 për qind.

Paga mesatare mujore bruto e paguar për punonjës në maj të vitit 2020 ka qenë 39,398 denarë. ls/fab