Ozil duhet të marrë mësim nga Xhaka

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka vlerësuar lartë mesfushorin e tij, kosovarin zviceran Granit Xhaka, duke thënë se numri 34 i topçinjve ia doli për mrekulli ta përmirësojë situatën e tij në klub.

Madje, spanjolli tha se shembulli i ish-lojtarit të Baselit duhet t’i shërbejë si mësim turko-gjermanit Mesut Ozil, në mënyrë që edhe ky ta përmirësojë reputacionin e tij në klubin londinez.

Këshillë të njëjtë Arteta pati edhe për mesfushorin tjetër të Arsenalit, Matteo Guenduouzi.

Xhaka pati prishur raportet me ish-trajnerin, fansat, por edhe me shumë kolegë të ekipit, kur u “nxeh” dhe hodhi shiritin e kapitenit në tokë, në një ndeshje, pas zëvendësimit.

Shikuesit e kritikuan dhe futbollisti me prejardhje nga Prishtina u përfshi në një zënkë me ta.

Por, gjithçka ndryshoi në klub, pas ardhjes si trajner këtu të Artetas.

Xhaka punoi fort nën urdhrat e tij dhe e ktheu statusin e superyllit, ndonëse jo edhe shiritin e kapitenit. Në ndeshjet madhore që Arsenal i fitoi ndaj Liverpool dhe Manchester City, “zvicerani” ishte instrumental.

“Sfida me Granitin ishte ta bind se ai ende e ka vendin e tij këtu – se unë kisha besim të madh në të dhe se gjërat mund të kthehen shumë shpejt në kahun tjetër, në industrinë e futbollit”, ka thënë Arteta, raportojnë mediet angleze.

“Atij iu desh të jap porosi të drejta. Para së gjithash, iu desh të besojë se mund ta bëjë një gjë të tillë dhe unë i thashë që nëse kjo ndodh, ne do ta përkrahnim atë, gjatë gjithë rrugës”.

Sipas trajnerit, Xhaka ia doli dhe të gjithë e çmuan angazhimin dhe veprimet e tij.

“Ai përnjëmend është një shembull i mirë për secilin lojtar që është duke kaluar në momente të vështira – nëse do, je këmbëngulë, gjithmonë ka një rrugë për t’u kthyer në binarë”, shtoi Arteta.

Ozil nuk është në planet e Arsenalit që nga marsi, ndërsa mesfushori tjetër, Guendouzi, u la anash qysh prej para një muaji. Këta të dy, sipas trajnerit, mund ta gjejnë një shembull të mirë të kthimit te Xhaka.

“Kjo ka të bëjë me secilin lojtar dhe secilin pjesëtarë të stafit”, tha ai. “Nëse me të vërtetë tregon se ke vendosur ta bësh më të mirën, jo për veten, por për ekipin dhe klubin, mendoj se të gjithë do të të mirëpresin”.