Mbyllet zyra e vizave dhe pasaportave në ambasadën gjermane në Tiranë

Ambasada gjermane në Tiranë ka njoftuar se prej sot zyra e vizave dhe e pasaportave është mbyllur.

Ky vendim është marrë për shkak të përkeqësimit të situatës me Vovid-19 në Shqipëri, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Tirana.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada gjithashtu informoi se personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin një datë të re aplikimi sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Prej ditës së sotme, e hënë 20 korrik 2020, nisur nga gjendja aktuale Zyra e vizave dhe pasaportave të Ambasadës gjermane në Tiranë është e mbyllur për arsye parandaluese. Personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin në momentin më të parë të mundshëm një datë/orë të re aplikimi. Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Fejsbukut sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj”, thuhet në njoftim.

Nga ambasada tutje bëjnë të ditur se për raste urgjente qytetarët mund të lajmërohen në numrat e telefonit 068 202 9109 dhe theksohet se në këtë numër nuk mund të merret informacion rreth datave të aplikimit apo procedurave për vizë.