Listat, Bardhi: E papranueshme! Pres informacion nga Rama kur do ta votojë paktin e 5 Qershorit

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaroi se PS-ja është kthyer pas për të rihapur edhe njëherë marrëveshjen e 5 Qershorit. Numri dy i PD-së, e cilësoi si të papranueshme nismën për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve. Bardhi tha se i kërkoi Edi Ramës dhe pret informacion zyrtar kur do ta votojnë paktin e 5 qershorit. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme Bardhi tha se PD-ja i qëndron marrëveshjes së Qershorit.

“Sikur jeni në dijeni prej 6 muajsh, këshilli politik ka qenë në punë të vijueshme, në 5 qershor palët nënshkruan marrëveshjen dhe ne sot i kërkuam informacion kryetarit të PS-së për angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të paktit në Kuvend, nuk morëm përgjigje, se kur votohet pa ndryshime. Së dyti konfirmoj se i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, nga ajo jo të gjitha palët morën gjithcka që kërkuan, por ishte konsensuale. Sot na u konfirmua se duhet të rihapim cështje që kemi rënë dakord në 5 qershor, por nuk mund të hedhim në kosh punën 6 mujore.

Ndërkombëtarët harxhuan orë dhe ditë të tëra pune për produktin, por na u pohua nga PS-ja që të rihapë cështje me të cilat kemi rënë dakord. U rikthyem prapë te administrimi i zgjedhjeve. Kërkojmë nga palët që kanë firmosur të jenë serioz. Cështja e respektimit të marrëveshjes nuk është më e brendshme, por kusht për nisjen e bisedimeve me BE-në. Ne i qëndrojmë 5 qershorit, duhet ti qëndrojnë edhe palët e tjera. Për ne është e papranueshme që të ndryshohet.

Një parti që firmos një marrëveshje duhet ti qëndrojë. Ne nuk kemi kërkuar kohë, ne i kemi dhënë kohë kryeministrit, që të na informojë zyrtarisht se kur do të kalojë për miratim pa ndryshime kodi që ne kemi bërë. Besoj që edhe ju e dini se nuk ka ende një datë. Ndryshimet e njëanshme minojnë dakordësinë e parë” tha ai.