Infeksionet në rritje me koronavirus, ulin çmimet e naftës

Londër, 20 korrik 2020 (MEDIAL) – Çmimet e naftës sot u zvogëluan për shkak të rritjes së infeksioneve të koronavirusit në shumë vende të botës, megjithëse investitorët kultivojnë optimizëm të kujdesshëm në lidhje me zbulimin e mundshëm të vaksinës Kovid-19 dhe për bisedimet në vijim për Fondin e rimëkëmbjes ekonomike të Bashkimit Evropian.

Çmimi i naftës “brent” të Detit të Veriut sot ranë për 32 centë, ose 0,7 për qind, në 42,82 dollarë për fuçi nafte, ndërsa WTI nafta amerikane ra për 29 centë në 40,30 dollarë për fuçi nafte, transmetojnë mediat britanike.

Më shumë se 14,5 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar me koronavirusin e ri, ndërsa më shumë se 604.000 persona kanë vdekur nga Kovid-19, transmetojnë mediat britanike.

Rënia e çmimit të arit të zi është zbutur nga lajmet se kompania gjermane e bio-teknologjisë “BioNTeç” dhe kompania amerikane e farmacisë “Pfizer” kanë paraqitur fakte plotësuese që vaksinat e tyre eksperimentale për Kovid-19 janë të sigurta dhe rezultojnë në krijimin e imunitetit tek pacientët.

Investitorët, gjithashtu, monitorojnë samitin e BE-së për të identifikuar sinjalet që do të ndikojnë në çmimet e tregut, me ç’rast liderët tregojnë shenjat e para për kompromis mbi pikëpamjet e ndara mbi propozimin e Fondit të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurove për të ringjallur ekonomitë e tyre. bs/bsh/