Ahmeti: Do të kemi kryeministër shqiptar

Shkup, 20 korrik 2020 (MEDIAL) – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke folur për çështjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut në emisionin Pressing në T7, tha se shqiptarët kanë të drejta aq sa kanë maqedonasit dhe se përderisa kryeministër mund të jetë një maqedonas, “pse jo të mos jetë edhe një shqiptar”.

Ahmeti tha se politikat hegjemoniste kanë marrë fund që nga viti 2001 dhe se kryeministri shqiptar do të jetësohet së shpejti. Ai hodhi poshtë zërat për destabilizim të rajonit dhe tha se BDI-ja është faktor stabilizues duke përkujtuar se partia e tij assesi nuk do të lejoj që të bëhen hapa prapa nga Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Ohrit.

Ahmeti tha se ka kontaktuar edhe me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i cili ka kërkuar që të fillimisht të certifikohen rezultatet e më pas të bëjnë takimin. Ai tha se kontaktuar edhe me kreun e PDSH-së Menduh Thaçin dhe kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

“Këto takime do të bëhen për të jetësuar ëndrrën e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë intervistë ai thekson se fyerjet e kreut të LSDM-së Zoran Zaev, se “shqiptarët blihen për pesë pare” janë të pafalshme. Ahmeti tha se qytetarët dhe shqiptarët janë të revoltuar me Zoran Zaevin dhe qëndrimet e tij kundër shqiptarëve të cilët e votuan në zgjedhjet e 2016-tës.

Deklarimet e Ahmetit për Zaevin lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit të BDI-së me VMRO-DPMNE-në e Hristjan Mickoskit të mund të bëj shumicë së bashku me mandatin e partisë “E majta” e cila në zgjedhjet e fundit mori dy deputetë. Megjithatë, Ahmeti tha se në fund do të shohin se cili nga koalicionet e bllokut maqedonas do të jetë më të hapur për të pranuar kushtet e BDI-së, e me të do të bëjnë marrëveshje për formimin e qeverisë.

Ndërhyrjet nga Kosova në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë qenë të shëndetshme, ka thënë më tej kreu i BDI-së Ali Ahmeti tutje në emisionin Pressing kur u pyet nëse Vetëvendosja ka bërë mirë ose jo që e përkrahi koalicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ahmeti tha se ka shokë dhe bashkëveprimtarë në të gjitha subjektet politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe Vetëvendosjen e Albin Kurtit, megjithatë nuk i konsideron korrekte thirrjet e eksponentëve të lartë të VV-së përfshi këtu edhe kryetarin e partisë, që të votohet koalicioni mes Ziadin Selës dhe Afrim Gashit.

Ndryshe, nënvizon se shqiptarët e Maqedonisë janë të vetëdijshëm për punët e bëra gjatë qeverisjes së BDI-së dhe se dinë të vlerësojnë dhe dënojnë kur është nevoja, “pa pasur nevojë për ndërhyrje nga jashtë”. fab/