Testimi për Covid/ ISHP dorëzohet pas mungesës së kapaciteteve, i hap rrugën privatit

Rreth një muaj më parë (14 qershor) u shënua numri më i madh i të prekurve me Covid-19, plot 57 të prekur, shifër kjo që për kohën ishte rekord pasi nuk ishte arritur as në muajin mars kur shpërtheu pandemia.

Kjo rritje e vrullshme e numrit të të infektuarve tregoi nevojën e menjëhershme të kryerjes së testimeve masive në popullatë.

Por në një dokument të siguruar nga Gazeta “Shqip”, të firmosur nga drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, shprehej shqetësimi në adresë të ministrisë së Shëndetësisë për pamundësinë që kishte ISHP me mungesën e kapaciteteve për të kryer testime masive në popullatë.

Image

Sipas dokumentit, ISHP, institucion në varësi të shtetit, nuk kishte pajisjet apo infrastrukturën e nevojshme për të përballuar ritmin e madh të nevojave të shqiptarëve, pra testime edhe për dokumentacion.

Dhe sot, një muaj më vonë duket se ISHP është “dorëzuar” dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve miratoi vendimin për të lejuar fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike, pra në laboratorë privatë.

Në njoftimin e saj sot Ministria e Shëndetësisë bëri  të ditur se “testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të jenë të vetmet që do të lejohen të përdoren në laboratorë të liçensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2”.

“ Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar,” shkruhet në njoftim.