Kur fitorja e luftës tjetërsohet dhe keqpërdorët nga kvazi-nacionalistët, aty është edhe fundi i lirisë..!

Ishte muaji tetor i viti 1973, dhe nga koha që kisha arritur në Kairo të Egjiptit për t’i vazhduar studimet, ishte bërë tamam një vit, madje ende nuk isha adaptuar mirë në ambientin e një bote krejtësisht ndryshe, krahasuar me jetën në Kosovë, ngase të vijsh nga një fshat i Kosovës në një metropol botëror prej 12 milion banorësh, sa numëronte asokohe kryeqyteti i Egjiptit Kairo, mund ta merrni me mend se si ndjehet një i ri në një rreth krejtësisht të panjohur, por shumë magjeps për nga natyra, mënyra orientale e jetës, për nga ushqimi, muzika, arkitektura, veshjet e deri tek gjuha melankolike dhe mjaft e vështirë arabe!

Image

Siujdhesa e Sinait

Image

 I ndjeri, ish kryetari i Egjiptit, Anvar El-Sadati

Me dëshirë do e kisha përshkruar më gjatë për jetën e një studenti shqiptar në një metropol jashtëzakonisht të bukur, siç ishte dhe është Kairo, të cilin qytet e ndanë në dy pjesë lumi i madh dhe i bukur Nilit, ndërsa në perëndim të tij shtrihen piramidat madhështore të Keopsit, etj., por meqë ky nuk është objekt i këtij shkrimi, kësaj radhe do të rrëfej në pika të shkurta për kohën e luftës midis Egjiptit dhe Izraelit, e njohur për egjiptasit si, “Lufta dhe fitorja e Tetorit-1973” (انتصار الحرب اللأكتوبر- 1973 ), e cila pa dyshim, se ka hyrë në analet e historisë së luftërave botërore, si një luftë specifike dhe e veçantë, si për nga strategjia ushtarake, ashtu edhe për nga praktikat operative në fushëbetejë, nga e cila siç dihet ushtria egjiptiane doli fituese.

Image

Kjo foto tregon se si ushtria egjiptase kishte arritur t’i hap korridoret në murin e ngritur nga rëra në anën tjetër të kanalit

 

Image

Marrëveshja e Camp Devid-it

Për luftën e 6 Tetorit 1973, midis ushtrisë egjiptiane dhe ushtrisë izraelite janë shkruar shumë libra, jo vetëm nga autorë egjiptian, por edhe nga shumë gazetarë dhe ekspertë të huaj ushtarak, sepse siç e thash më lartë, kjo luftë ka hyrë në analet luftërave të veçanta në botë, dhe atë për dy arsye;

Së pari, ngase pengesë kryesore për ushtrinë egjiptiane paraqiste, se si të kalohet Kanalit të Suezit i cili e ndante Egjiptin nga rrafshnalta e siujdhesës së Sinait, toka të tij, por i pushtuar nga Izraeli qysh nga lufta e vitit 1967, dhe, për ta rikthyer atë pjesë të territorit të vet, problem kyç ishte kalimi i Kanalit të Suezit me tanke dhe ushtri tokësore për të dalë në anën e pushtuar, meqenëse për një kalim të suksesshëm ushtria egjiptiane duhej të bënte përgatitje disavjeçare ushtarake, duhej të pajisej me armë dhe mjete adekuate për kalimin me sukses të këtij kanali në gjatësi prej 20 km dhe gjerësi, aty-këtu deri në 400m. Pra, çështja ishte se si duhej hapur me dhjetëra vendkalime-korridore në murin e ngritur prej zalli dhe rëre këndej dhe andej kanalit në lartësi deri në 20 metra, për t’ia bërë të mundur kaluar ushtrisë me armatim të rënd tokësor që të kalojë në anën tjetër, gjë që në shikim të parë kjo dukej diçka e pa mundur.

Image

Urat e pontonit, të vendosura mbi ujin e Knalit të Suezit

Por, ata të cilët kanë njohuri për këtë luftë, e dinë se arkitekti ideor ushtarak dhe i përgatitjeve për këtë luftë, ishte pikërisht kryetari i shtetit, asokohe Anvar Al-Sadati (1970-1981 – e kishte zëvendësuar kryetarin e ndjerë, Gamal Abdel Naserin), ku me ardhjen e tij në krye të shtetit e kishte e ndryshuar plotësisht kursin politik-socialist dhe pro-rus të paraardhësit të tij, duke u orientuar plotësisht kah Perëndimi, sidomos kah SHBA-të, me të cilat do lidhë miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë bilateral, duke blerë dhe pajisur ushtrinë e tij me armët më moderne amerikane të kohës.

Pra, Kanali i Suezit ishte pengesa më e vështirë të cilën udhëheqësit ushtarak të Egjiptit duhej ta zgjidhnin, po qese donin ta çlironin tokën e tyre, siujdhesën e Sinait në sipërfaqe tokësore prej 61.000 km’2, diku njëherë e gjysmë më e madhe se Zvicra, që falë pikërisht miqësisë me amerikanët, Egjipti do dërgon për trajnim në SHBA dhe Evropë shumë ushtarë të cilët do aftësohen në mënyrë profesionale, se si ta mposhtin pengesën e Kanalit në gjatësi prej 20 km, dhe gjerësi deri në 400m, duke hapur korridore për kalim në murin e rërës së ngritur buzë ujit në anën e okupuar, ku ishte e vendosur ushtria izraelite. Pra, duhej shtrirë mbi sipërfaqen e ujit të Kanalit ura pontoni speciale për raste të tilla në mbi 20 vende përgjatë kanalit Suez për të dalë në anën tjetër. Por, a zgjidhej dot problemi i kalimit të kanalit-ujit vetëm me këto ura për të dalë në anën tjetër të tij, atje ku ishin mijëra forca ushtarake izraelite të fortifikuara, siç i kishin ndërtuar tunelet nëntokësore, depot dhe dhomat e ushtrisë të mbuluara me beton të trash dhe me tela çeliku me gjemba në mbi 10 metra lartësi. Jo, kjo nuk mjaftonte, sepse ishte pengesa tjetër edhe më e madhe, ngase në anën e okupuar të kanalit ku ishte ushtria izraelite, duhej hapur po ashtu korridoret për kalimin e armatimit dhe të ushtrisë në 20 vende tjera përgjatë kanalit, duke larguar së pari rërën e ngritur mbi 20 metra lartësi për ta hapur korridorin. Kjo ishte sfida më e madhe dhe më e rrezikshme për ushtrinë egjiptiane, ngase të hapësh 20 vendkalime duke hapur murin e ngritur nga rëra mbi 20m të lartë, për ta kaluar kanalin pa humbje të mëdha në ushtarë, kjo ishte diç e parealizueshme edhe për ushtri të forta, e lere më për ushtrinë e dobët të Egjiptit.

Dhe së dyti, pranë gjitha këtyre pengesave tepër të mëdha, ditën kur do fillojnë sulmet e ushtrisë egjiptase me 6 tetor 1973 kundër ushtrisë izraelite m’atanë kanalit të Suezit, brenda vetëm 2-3 orëve i tërë operacioni dhe sulmi ushtarak do kryhet me sukses të plotë nga ana e ekipeve egjiptase të specializuara në Amerikë, të cilët një natë më para me barkat e tyre do vendosin përgjatë gjithë Kanalit të Suezit në anën izraelite gypa special të futur nën rënë dhe të mbushur me gaz ekskploziv, të cilët me një komandë do ndizen në çastin kur do fillon sulmi i ushtrisë dhe artilerisë ajrore, ku i tërë kanali do mbushet me flakë dhe tym zjarri, siç thuhet, do “kallet” uji.

Image

Kampet e ushtrisë izraelite matanë Kanalit të Suezit

Image

Korridoret për kalimin e ushtrisë egjiptase, një specifikë e pa parë më para në luftrat botërore…

Sa për informim të lexuesit, i tërë Sinaji që nga fitorja e 6 tetorit 1973 gjendet nën sovranitetin e Egjiptit, ku më pas nën udhëheqjen e administratës amerikane do pason edhe marrëveshja paqësore e Camp Devidit (1979), e cila do arrihet midis këtyre dy shteteve që ishin në armiqësi të gjatë me njëra tjetrën, por ç’është më kryesorja në gjithë këtë rrëfim dhe histori lufte, nën presionin e madh amerikan (presidentëve Gerald Ford dhe Jimmy Carter) të ushtruar ndaj kryetarit të Egjiptit, Anvar Al-Sadatit, qeveria egjiptiane, pas vizitës së tij në Kneset në Jerusalem (1978) qeveria e Egjiptit do ta njeh ekzistencën e shtetit të Izraelit në tokat arabe të Palestinës, territorin e sotëm, e që ishte hera e parë që një shtet arab të bënte një akt të tillë “tradhtie” kombëtare, i cili do t’i kushtoi me jetë kryetarit Anvar Al-Sadat, i cili me 6 tetor të vitit 1981 në paradën ceremoniale të mbajtur për ditën e fitores ndaj Izraelit do vritet pikërisht nga ushtria e tij..!?

Image

Kanali i Suezit sot, nga i cili Egjipti e siguron një pjesë të madhe të buxhetit shtetëror nga taksat që ua marrin anijeve të huaja… 

Pra, ajo që do ndodhë pas vrasjes së Al-Sadatit në vitin 1981, është periudha më e mbrapshtë për Egjiptin, sepse me gjithë qetësinë relative e cila do mbretëroi gjatë sundimit të kryetarit, Hosni Mubarak (1981-2011 – ishte nënkryetar shteti në kohën e A. Al- Sadatit), i cili lejoi që Egjipti të varfërohet, të dezintegrohet politikisht nga shumë subjekte partiake dhe ekstreme, shkalla e lartë e korrupsionit, etj., duke u larguar gjithnjë e më shumë nga miqësia dhe bashkëpunimi me Amerikën dhe për ta çuar vendin nga kriza në krizë, kur edhe do rrëzohet me revolucion popullor nga pushteti në vitin 2011.

Siç dihet edhe Egjiptin sikur shumë vende tjera arabe e përfshiu “Pranvera arabe”, duke mundësuar për herë të parë që në Egjipt të mbahen zgjedhje të lira dhe shumë partiake, meqë rast do del fituese partia e “Muslimane” e Mohamed Morsit (2012 – qershor 2013), e cila me shumicë votash do e zgjedh për kryetar të Egjiptit M. Mursin, por të cilin vetëm pas një viti do ta rrëzon me puç ushtarak, gen. Mohamend Al-Sijsi (2014 – akoma është kryetar), i cili me ardhjen e tij në krye të shtetit ka instaluar një diktaturë të rrebet ushtarake, duke e kthyer kështu vendin e Faraonëve dhe djepin e kulturës botërore, siç ishte Egjipti, në një shtet të varfër, të pazhvilluar ekonomikisht, në një vend të pa sigurt për qytetarët vendas dhe turistët e huaj, me shkallë të lartë të korrupsionit, ku fjala dhe mendimi i lirë si dhe shumë të drejta themelore të njeriut shkelën çdo ditë në mënyrë brutale, ku nuk respektohen dhe nuk mbrohen të drejtat e popullit për liri, për punë dhe ardhmëri më të mirë, sepse liria e fituar pas luftës së 6 Tetorit 1973, orientimi pro-perëndimor i Egjiptit i filluar në kohën e Anvar Al-Sadatit, kishte rënë, për fat të keq, në duart e kastave të korruptuara politike dhe qeverisëse, ku grupet e interesit dhe bashkëpunëtorët e shërbimeve të huaja sekrete, në veçanti me ato ruse, pastaj luftimi me dhunë policore dhe ushtarake i grupeve dhe partive të ashtuquajtura “ekstreme islamike”, ndalimi dhe burgosja e liderit të partisë myslimane, Mohamed Mursit, si dhe persekutimi dhe vrasja e tij vitin e kaluar në burg nga organet e shtetit të kapur nga puçisti M. Sijsi, pa dyshim, se Egjipti sot është shndërruar në vendin më të pa sigurt politikisht në Lindjen e Mesme si dhe në Afrikën veriore!

Kështu ndodhë gjithherë në historinë e popujve dhe shteteve, kur vendin dhe lirinë e një populli e grabisin-marrin në duar kvazi-nacionalistët, hajnat dhe oligarkët e pamoralshëm, të cilët për interesa të tyre personale janë në gjendje ta shesin edhe shtetin edhe popullin e vetë, vetëm që të mbesin në pushtet, duke e vrarë lirinë e fituar me gjak si dhe duke falur jetën e mijëra ushtarëve dhe civilëve të vrarë, siç ka ndodhur me popullin egjiptian gjatë tri dekadave të fundit, i njohur në botë si një popull shumë paq-dashës, i urtë, punëtor dhe i civilizuar..!?