Kontrollet për Covid në plazhe/ Plazhistët me kollë e temperaturë paraqiten në qendrat shëndetësore

Kjo është një nga periudhat më të bukura të vitit, por padyshim duke treguar kujdes nga Covid-19.

Çfarë ndodh në rast se një pushues ndjen se ka shenja të koronavirusit, temperaturë apo kollë? Duhet t’i drejtohet qendrave shëndetësore, dhe ne ndodhemi në qendrën shëndetësore nr.6 në lagjen 13 në zonën e plazhit në Durrës, por mesa duket është ditë e diel dhe qendra shëndetësore është pushim.

Por edhe dita e diel sigurisht që e ka një zgjidhje, pasi pranë qendrave shëndetësore janë të vendosura qendrat verore që u shërbejnë qytetarëve në çdo moment.

Gazetarja: Doktoresha a keni pasur raste të personave të cilët kanë pasur shenja të koronavirusit dhe kanë kërkuar ndihmën tuaj në qendrën verore.

“Përshëndetje, qendra jonë është e hapur për të gjithë pushuesit që mund të kenë probleme shëndetësore në rast se kemi pasur pushues me simptomat e Covid, si për shembull temperaturë të lartë,  vështirësi në frymëmarrje, lodhje muskulare ose dhe kollë dhe i kemi referuar tek 127 për të kryer tamponin e Covid-it. Të gjithë personat që paraqiten në qendrën tonë shëndetësore e para nuk lejohen pa maskë, e dyta është matja e temperaturës që u bëjmë dhe më pas i kryejmë një si tip triazhi klinik parësor dhe pyetje të ndryshme për të mësuar sa më shumë për historinë e tyre mjekësore qe ne e quajmë në gjuhën mjekësore anamnezën e tyre personale”, sqaron doktoresha.