/

DERKOSKI: KSHZ-ja ka punuar në mënyrë ligjore

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme njëzëri i hodhi poshtë gjitha 2.142 ankesat e parashtruara nga partitë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Anëtarët e KSHZ-së theksuan se kanë punuar konform Kushtetutës dhe ligjeve dhe se rezultatet e zgjedhjeve janë të sakta, në kohë dhe të vërteta dhe se procesverbalet e rezultateve janë nënshkruar nga të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhore dhe komisionet zgjedhore komunale dhe se nuk ka pasur vërejtje lidhur me ankesat e shtruara. Lidhur me kërkesat për numërimin manual të fletëvotimeve, ai ka theksuar se për dekada me radhë, “fletëvotimet numërohen me dorë dhe se çdo fletëvotim tregohet publikisht para të gjithë anëtarëve të këshillave zgjedhor”.

Për 1.478 ankesa nga gjithsej 1.982 të paraqitura nga Partia “E Majta”, anëtarët e Komisionit vlerësuan se ata nuk kanë pasur nënshkrimin e përfaqësuesit të autorizuar dhe nuk kanë pasur vulën e paraqitësit të listës, ndërsa për 504 të tjera theksuan se ato nuk janë të mbështetur në prova dhe se teksti i arsyetimit të tyre është i njëjtë në të gjitha ankesat. Ndërkaq, për ankesat e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa, poashtu është vlerësuar se janë të pa mbështetura në prova si dhe ankesat e partive “Demokratët”, SDU, Integra, Partia e Punëtorëve MORO dhe VMRO-DPMNE. Disa nga partitë ankesat e të cilave u refuzuan, kërkuan rishikim të materialit zgjedhor, si dhe të fletëvotimeve të pavlefshme, por edhe ato nuk ishin të mbështetur në prova.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski theksoi se këto dy vjet, Komisioni ka treguar se funksionon në bazë të respektimit të ligjeve dhe se kjo nuk do të ndryshojë në asnjë rast, madje as në rastin identik.

“Ne si KSHZ para nesh kemi Kod zgjedhor, kemi udhëzim për zgjidhjen sipas ankesave. Si KSHZ kemi bërë kontrollin e gjithë materialit zgjedhor, procerverbale 16 dhe 21 të të gjitha komisioneve zgjedhore komunale. Në asnjë procesverbal nuk ka vërejtje mbi arsyet e paraqitura në ankesat. Me përgjegjësi theksoj se KSHZ ka bërë punën e saj siç duhet konform Kushtetutës dhe ligjeve. Njëherësh unë përshëndes të gjithë ata që në Fejsbuk dhe rrjetet tjera sociale mendojnë të kundërtën nga unë se mund të vazhdojnë të mendojnë ashtu, por me përgjegjësi ju them se nuk ka asnjë rrugë të vetme të punojnë në kundërshtim me ligjet e këtij shteti”, tha Derkoski.

Vullneti i qytetarëve, sipas tij është shprehur ditën e zgjedhjeve dhe secili ka të drejtë të votojë sipas bindjeve të tyre.

Askush nuk duhet të dyshojë në procesin, thekson ai, duke shtuar se ka 35.000 anëtarë të administratës zgjedhore dhe dhjetëra vëzhgues. Sipas tij, administrata zgjedhore, këshillat zgjedhor, përfshirë ato speciale dhe komisionet zgjedhore komunale kanë kryer punën e tyre në mënyrë të përsosur, gjë që u tregua edhe në raportin e OSBE/ODIHR edhe pse ky proces për shkak të situatës me Kovid-19 u zhvillua në kushte të vështira të organizimit të saj.

“Do të falënderoja për bashkëpunimin edhe subjektet politike sepse kishim me të vërtetë zgjedhje të qeta, korrekte ku në fund të ditës secili mori aq vota sa kanë vendosur qytetarët”, tha Derkoski.

“Me përgjegjësi dua të them se ky institucion e ka bërë punën e vet në mënyrë ligjore. Të gjithë njerëzit punuan ditë e natë që të kryejnë punët e tyre siç duhet. Publiku nuk duhet të shqetësohet, por duhet t’i besojë KSHZ-së, sepse Kodi zgjedhor nuk njeh manipulime në këtë proces, pasi saktësisht përcakton se si numërohen fletëvotimet, kush i numëron fletëvotimet dhe si e përcakton rezultatin. KSHZ vetëm konstaton rezultatet që më parë janë përmbledhur dhe përcaktuar në vendvotimin nga të paktën dhjetë njerëz në vetë vendvotimin. Nga këto arsye i mohoj të gjitha spekulimet dhe lajmet e rreme që janë shfaqur këto ditë”, tha Derkoski.

Anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se Komisioni doli me rezultate të sakta, në kohë dhe të vërteta dhe punon në mënyrë të ligjshme. Lidhur me kërkesat për numërimin manual të votave, Kondarko tha se ajo është e palejueshme dhe e pamundur dhe se çdo fletëvotim u tregohet publikisht të gjithë anëtarëve të këshillave zgjedhor.

“KSHZ-ja nuk është sportel që partitë të kërkojnë në KSHZ votat që u mungojnë në zgjedhje”, tha ai.

Sipas Janakie Vitanovskit, madje zgjedhjet kanë qenë korrekte, të lira dhe demokratike dhe shtoi se ato u mbajtën në kushte të pandemisë, ndërsa Elizabeta Postolovska, duke shpjeguar vendimin për ankesat e paraqitura nga VMRO-DPMNE, tha se me përgjegjësinë më të madhe pretendon se nuk ka gjetur asnjë provë që do ishte në favor të këtyre ankesave.

Paraqitësit e ankesave të refuzuara kanë të drejtë ankese në Gjykatën Administrative pas vendimeve të KSHZ-së edhe atë në afat prej 24 orëve nga marrja e vendimeve. Pasi të pranojë ankesat, Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë brenda 60 orëve. Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve eventuale nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore, në KSHZ, konform ligjit, Komisioni do t’i shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. KSHZ më pas do t’u japë certifikatat deputetëve të zgjedhur. Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.