Diaspora shqiptare, protagoniste e formimit të dy shteteve shqiptare

Me përhapjen e virusit korona dhe pandemisë në shtetet e Evropës perëndimore, mërgata shqiptare mbeti më pak e prekur, falë demokracive, shoqërive të hapura, të disiplinuara, besimit, kulturës dhe standardeve të larta. Mërgata shqiptare është shumë pak e prekur, ka raste të rralla të infektuarish, ka më pak probleme dhe më lehtë është duke u përballur me pandeminë, për dallim nga popullata në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe trojet e tjera.

Për shumicën e shqiptarëve në botën perëndimore, ky vit do të mbetet viti më i ligë dhe më i mbrapsht nga të gjitha, prej atyre që i kanë kaluar në mërgim. Mosardhja në pushime e mërgatës do të ketë pasoja e trauma psikologjike dhe raste melankolie. Mërgata shqiptare është e lidhur shumë me vendlindjen, emocionalisht dhe shpirtërisht. Ata të mërgatës çdo vit me padurim presin pushimet, për ta shuar mallin në vendlindje. Duke u bashkuar me familjen, farefisin, miqtë dhe shokët, mërgimtarët fisnikërojnë shpirtrat dhe zbrazin adrenalinën.

Të shkëputur, të mallëngjyer, të larguar dhe me nostalgjinë e thellë, mërgimtarët kur vinë në pushime, çmallen me vendin, me baltën, ajrin dhe pluhurin që kanë thithur. Ata çmallen me lagjet, rrugicat e fshatrave, qyteteve, fushave, maleve, bregoreve, ku kanë kaluar pjesën më të lumtur të rinisë së tyre.

* * *

Diaspora shqiptare është një ndër vlerat, devotshmëritë dhe atributet që i ka rrallë ndonjë popull. Pas diasporës çifute, që ishin projektuesit dhe aktorët kryesorë të shtetit izraelit, mërgata shqiptare ishte e dyta që kontribuoi, përkrahu dhe sakrifikoi, kështu që sot shqiptarët kanë dy shtete të tyre në Ballkan. Diaspora shqiptare i është përgjigjur kushtrimit e apologjisë së atdheut, duke ndihmuar atë me të gjitha mjetet ekzistuese dhe, në fund, duke luftuar në fushëbeteja për kauzën, aspiratat dhe altarin e lirisë.

DIASPORA, PROMOTOR I RIMËKËMBJES EKONOMIKE

Mërgata ose diaspora shqiptare është më e lidhur me atdheun dhe vendlindjen sesa komunitetet dhe mërgata e popujve të tjerë në Perëndim. Ata dekada me radhë, si popull i shtypur e i diskriminuar, kanë mbajtur barrën mbi shpatulla, duke ndihmuar dhe zbutur varfërinë në vendlindje. Diaspora shqiptare sa e sa dekada me radhë e shkëputur nga toka, gjaku dhe fisi, ka vazhduar ta ruajë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore. Popujt e tjerë që punonin në Perëndim ishin më të pavarur. Italianët, turqit, sllavët kishin marrë familjet në Perëndim, ndërsa shqiptarët kishin familje tradicionale, patriarkale dhe kolektive. Të diskriminuar dhe të përbuzur nga shteti, mërgata shqiptare kishte një mbikëqyrje në gjithë familjen. Prindërit, vëllezërit, motrat ndihmoheshin dhe kujdeseshin prej tyre, sikundër edhe farefisi më i afërt, si xhaxhallarët, dajallarët dhe kushërinjtë.

* * *

Mërgata shqiptare më shumë se gjysmë shekulli ka qenë si një lumë që derdhet në det. Në çdo krizë humanitare; si erupsione, vërshime, luftëra, ajo ka ndihmuar sa herë që ka pasur nevojë e edhe më tej është e gatshme që të ndihmojë. Ajo ka qenë promotor, bazë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ka zbutur varfërinë, dhimbjet dhe vuajtjet e bashkatdhetarëve në vendlindje dhe atdhe. Ata janë të lidhur, të ngjitur si hekuri me magnetin. Kanë jetuar në dy bota, dy jetë; me trup dhe instinkt kanë jetuar në mërgim, kurse me shpirt në vendlindje. Akoma nuk ka një tablo statistike për atë se sa euro apo dollarë hyjnë në vit nga diaspora shqiptare në vendlindje. Sipas transaksioneve bankare dhe ato private, brenda një viti hyjnë afërsisht me nga 1 miliard euro në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Këto shtete dhe shumica e shteteve në Ballkan janë shoqëri konsumuese dhe shumë pak janë prodhuese. Këto shtete falë diasporës, kompensojnë dhe mbulojnë deficitin tregtar.

FËMIJË TË RRITUR PA PRINDËR

Punëtorët shqiptarë në ish-Jugosllavi ishin të diskriminuar dhe të shtypur, ndërsa tek sllavët ishin të punësuar të gjithë anëtarët e familjes. Atyre jo vetëm që ua siguronin ekzistencën, por u jepnin edhe banesa shoqërore pa asnjë pagesë nga firmat dhe kombinatet ku punonin, si dhe kredi të volitshme afatgjate nga bankat. Për shqiptarët e vetmja rrugëdalje për të shpëtuar nga vuajtjet dhe varfëria, por edhe për të ndërtuar një shtëpi apo për të blerë një banesë ishte shkuarja për në kurbet.

Një mik imi i afërm, me daljen në pension pas 40 vjetësh pune në Gjermani, në fund kishte bërë bilancin e jetës së tij. Si zakonisht, pushimet vjetore ishin dy herë në vit dhe mërgimtarët kishin rastin të shkonin në vendlindje dy herë brenda një viti. Me këtë bilanc, prej dyzet vjetëve në punë, duke ardhur nga dy herë në vendlindje, del se në gjirin familjar për ato vite kanë kaluar vetëm katër vjet jete së bashku. Pjesën tjetër të jetës, si unë dhe mërgimtarët e tjerë e kishim kaluar larg familjes. Më kishin lindur fëmijë dhe ishin rritur pa përkëdhelje, dashuri e ngrohtësi prindërore. Unë për ata isha i huaj, kushtimisht thënë. Më tregonte ime shoqe se fëmijët pritnin dhe pyetnin se kur do të vijë babai prej Gjermanie. Kur jam në vendlindje, fëmijët thonë pas dy-tri javësh se kur do të shkojë babai?

Të gjithë fëmijët e brezit të parë të viteve 1970-1980 ishin rritur me gjyshër e xhaxhallarë. Mërgimtarët në ish-Jugosllavi, kur vinin me pushime në vendlindje, nëpër kufij i torturonin doganierët dhe policët në rrugë gjatë udhëtimit. Shpesh i thërritnin në stacion policor, ku inspektorët merrnin në pyetje, duke i akuzuar se po marrin pjesë në demonstrata dhe bënin propagandë e agjitim armiqësor ndaj shtetit. Inspektorët policorë shpesh ua merrnin atyre edhe pasaportat.

LUM KUSH DO RROJË DHE DO E SHOHË ZONJËN

Shumica e mërgimtarëve, pas mbarimit të luftërave dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe konfliktit të armatosur në Maqedoni, kishin shpresa se do të kthehen dhe do të investojnë në vendlindje. Ata përdorin frazën e Naim Frashërit, i cili në vargjet e  veta thotë: “Lumë kush do të rrojë e të shohë zonjën”. Shpresa dhe ëndrra e mërgimtarit në fund mbeti një fryt iluzioni, një ëndërr mashtruese, një zhgënjim, revoltë dhe frustrim. Është paradoks dhe cinizëm i madh se mërgimtarët edhe pas viteve 2000 përjetojnë të njëjtën odise, peripeci e përbuzje. Ata edhe tash kur vinë në pushime janë duke pritur orë të tëra nëpër pika kufitare. Vijnë për pushime të lodhur, të rraskapitur, presin nëpër sportele e zyra për një certifikatë apo dokument tjetër.

Këta mërgimtarë, dekada me radhë, duke sjellë qindra milionë euro, përsëri konsiderohen nga qeveritë, liderët dhe politikanët si dele të zeza, si monedhë dhe objekt. Këta mërgimtarë që kanë dhënë shumë për vendlindjen dhe shtetin, si për reciprocitet nuk kanë marrë asgjë nga shteti i origjinës. Me ardhjen e mërgimtarëve në pushime, asnjëherë së paku në hyrje të qyteteve ose fshatrave s’janë vendosur pankarta me sloganin, “Mirë se erdhët të dashur mërgimtarë!” S’ka pasur organizim apo manifestim nga qeveritë, komunat, liderët dhe prefektët, kryetarë të bashkive të komunave, ashtu siç organizojnë ata në shtetet si Italia, Spanja, Turqia etj., ku mbahen manifestime, takime, kokteje me mërgatën. Asnjëherë s’ka pasur nga liderët e prefektët ndonjë organizim falënderimi, respekti, mirënjohjeje, ngushëllime apo privilegje.

Po të organizonin një manifestim të tillë sado simbolik për mërgimtarët, do të ishte një gjest i mirë. Ata në fund do të thonë se keni qenë viktima të përvuajtur larg atdheut. Së paku edhe ne vlejmë, jemi pjesë e kombit dhe do na i zbutnin plagët, dhimbjet dhe vuajtjet. Këta mërgimtarë, sidomos brezi i parë ndjehen të përbuzur, të injoruar, inferiorë dhe pa vlerë. Ata ndihen të huaj në mërgim dhe në vendlindje. Në fund të zhgënjyer, të anashkaluar, të sëmurë e të mplakur, kthehen atje pa asnjë energji. Kanë konsumuar forcën e tyre në vend të huaj. Këta mërgimtarë të këtij brezi i kthehen tokës që i lindi, kthehen në arkivole që të prehen përgjithmonë pranë varreve të prindërve dhe gjyshërve të tyre.

Ngjarja paraprake

Ekspertët Zbulojnë Gjurmë të Një Virusi të Ri – A Rrezikohemi Nga Pandemia e Radhës?

Ngjarja e ardhëshme

Kërkohet ndihmë financiare për shërimin e vogëlushit Denis Xhabali

të fundit nga Opinione