Ohër, 2 korrik 2020 (MEDIAL) – Korniza e negociatave për pranimin në BE, nuk është ende dokument publik. Do të publikohet pasi të pranohet nga vendet anëtare të BE-së. Ky është draft-version i dokumentit të përgatitur nga Komisioni Evropian. Do të jetë i ngjashëm me dokumentet për kornizën e bisedimeve që janë përgatitur për fillimin e bisedimeve, si për Serbinë ose Malin e Zi, dhe mendoj se nuk do të ketë befasi në të, përveç se do të përmbajë elemente të reja sipas metodologjisë së re. Sot, këtë e tha ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar nga Ohri, i cili ishte për vizitë pune në vetëqeverisjen lokale të Ohrit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Zhbogar sqaroi se dokumenti do të përmbajë parimet e negociatave, tërë thelbin e negociatave dhe do të përcaktojë tërë procesin paraaderues.
“U mbetet kryesimit gjerman të BE-së dhe shteteve anëtare, ta rishikojnë dokumentin, ndoshta për të miratuar kornizën e bisedimeve. Sapo të miratohet, ai do të shpallet, ne do të ulemi në tryezë dhe zyrtarisht do të fillojmë negociatat aderuese për anëtarësimin e vendit”, tha Zhbogar.
Lidhur me çështjen e gjuhës maqedonase, ambasadori i BE-së theksoi se dokumenti i përgatitur nga Komisioni Evropian parashikon që përmbajtja të përkthehet në gjuhën maqedonase.
“Por, tërë kjo është subjekt i diskutimit të anëtarëve, kështu që ende nuk mund të them derisa të diskutohet nga ana e tyre. Varet nga ata se cili do të jetë versioni përfundimtar i dokumentit. Çdo ndryshim i mundshëm në draft-dokumentin duhet të aprovohet nga vet vendet anëtare”, tha ambasadori i BE-së.
Zhbogar ishte në Ohër për të shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian për aktivitetet e kryera nga Komuna për mbrojtjen e bregdetit nga ndërtimet pa leje dhe për parimin e sundimit të ligjit. bs/bsh/