Rexhep Ismail për MIA-n: E Majta është partia e gjeneratës së re pa bagazh politik pas vetes

Shkup, 2 korrik 2020 (MEDIAL) – Vendosje të tatimit progresiv dhe tatimit të luksit, rishikim të privatizimit, diskriminim pozitiv social gjatë punësimit në vend të atij etnik, mënyrë të re të shpërndarjes së të mirave, formim të bankës shtetërore agrare për të ndihmuar bujqësinë dhe legalizim të kanabisit për përdorim rekreativ janë vetëm një pjesë e angazhimeve të së Majtës në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2020, shprehet në intervistën për MEDIAL-n bartësi i listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike në Njësinë zgjedhore 2, Rexhep Ismail.

– Ne para së gjithash i tërheqim votat e qytetarëve me sinqeritetin, ndershmërinë dhe elanin tonë si parti e re politike që rritet më së shpejti dhe është më e pavarur dhe më e pazakonshme sesa partitë tjera politike për shkak se ne jemi parti i gjeneratës së re që është pa bagazh politik pas vetes, shprehet Ismaili.

Për idenë e BDI-së për “Kryeministër të parë shqiptar”, Ismaili konsideron se kjo është një klithmë e dëshpërimit të kësaj partie “e cila tashmë e humb popullaritetin dhe qëndron në këmbë të qelqta.

– Ideja për kryeministër shqiptar, do të thotë kryeministër mbi bazë etnike është në linjë të fundit primitive. Mendoj se elektorati duhet të mos shikohet si grup etnik, për shkak se partitë borgjeze … elektoratin e shikojnë si konsumues dhe u afrohen sikur u sheshin ndonjë lloj produktesh, shton Ismaili.

Ai pret që në zgjedhjet e radhës E Majta të bëhet parti parlamentare dhe të ketë “së paku grup parlamentar në Kuvend”.

Në vazhdim vijon intervista integrale e bartësit të listës së kandidatëve për deputetë të së Majtës në Njësinë zgjedhore 2, Rexhep Ismail.

 Fushata zgjedhore filloi. Tashmë i prezantuat programet tuaja para votuesve. A do të mundet shkurtimisht të numëroni pesë gjëra kryesore me të cilat do të tërhiqni votat e qytetarëve?

– Ne para së gjithash i tërheqim votat e qytetarëve me sinqeritetin, ndershmërinë dhe elanin tonë si parti e re politike që rritet më së shpejti dhe është më e pavarur dhe më e pazakonshme sesa partitë tjera politike për shkak se ne jemi parti i gjeneratës së re që është pa bagazh politik pas vetes. Njerëzit udhëheqës të saj, njerëzit që drejtojnë partinë në vendet më të larta, janë njerëz që deri tani nuk kanë marrë pjesë në asnjë pushtet, por lëvizja politike e së Majtës është ndërtuar prej fillimit, prej zeros, siç thuhet, deri në këtë nivel që këto të na jenë zgjedhjet e dyta parlamentare.

Por, nëse do të duhej të veçojmë diçka nga Programi ynë, kjo do të ishte para së gjithash, për shembull, tatimet progresive që i parashikojmë, si tatim progresiv të fitimit dhe të të ardhurave personale, më pas parashikojmë ligj për prejardhjen e pasurisë së politikanëve dhe plus rishikim të privatizimit si masa që do të duhej të përmirësojnë ato padrejtësi që kanë ndodhur në të kaluarën. Më pas, mendoj se ideja jonë, gjithashtu origjinale është ideja se partitë tjera politike nuk mund të elaborojnë për shkak se në aspektin ideologjik nuk mund t’i qasen asaj. Ky është angazhimi ynë për largimin e atij diskriminimi gjatë punësimit, pra diskriminimi pozitiv në linjë etnike ne angazhohemi që të zëvendësohet me diskriminimin pozitiv sociale gjatë punësimit, gjegjësisht kjo do të thotë që të kenë njëfarë përparësie gjatë punësimit njerëzit që janë më të varfër dhe njerëzit që vijnë nga familjet më të varfra.

Më pas, do të mund të thosha njëjtë se edhe qëndrimi ynë në raport me Kushtetutën e tanishme që konsiderojmë se si themel i sistemit juridik nga i cili dalin shumë parregullsi, ne angazhohemi në Programit tonë për Kushtetutë të re qytetare që do t’i tejkalojë këto elemente që i ka Kushtetuta e tanishme të një lloji të “tribalizmit” dhe vetë Kushtetuta është segreguese, e ndan shoqërinë sipas linjës etnike.

E Majta është njëra prej partive të rralla në vend me retorikë të shprehur qartë anti-NATO. A do të thotë kjo se nëse jeni në pozitë të pushtetit do të inicioni daljen e shtetit nga NATO?

– Absolutisht po, për shkak se NATO është një organizatë ushtarake. Ne jemi parti antimilitariste dhe përveç asaj që NATO ka shumë gjëra që i ka bërë në politikën e jashtme, gjegjësisht në kuptimin e shkeljes së rendit ndërkombëtar, misione që nuk kanë lejen e Kombeve të Bashkuara, por thjeshtë shërbejnë për fushatë imperialiste të fuqive të mëdha, si SHBA-ja.

EkonoMEDIAL do të jetë sfida më e madhe në periudhën që vijon duke marrë parasysh pasojat nga kriza e koronës. Çfarë projektesh ofron partija Juaj në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale?

– EkonoMEDIAL është gjithmonë sfidë, por ajo me çka ne dallojmë se si e shikojmë ekonominë është fakti se në raport me ekonominë si pasuri prodhuese ne konsiderojmë se nuk duhet fokusuar shumë në rritjen – në rritjen ekonomike, për shkak se Maqedonia prodhon të mira të mjaftueshme. Problemi i madhe është ai se këto të mira nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë, gjegjësisht shpërndarja e të mirave është jashtëzakonisht e keqe dhe ne jemi vendi me shtresim më të madh klasor në Evropë, kuptohet edhe më gjerë. Nga ky aspekt, ne, për shembull, kemi disa gjëra që, gjegjësisht parashikojmë disa zgjidhje siç janë tatimet progresive, plus kemi tatim të luksit, e përmenda edhe diskriminimin pozitiv social gjatë punësimit, si dhe në raport me shpërndarjen e të mirave.

Më pas, mund të veçoj gjithashtu edhe idenë tonë për një bankë agrare – bankë shtetërore agrare që do të jetë institucion qendror që do të drejtojë bujqësinë, prodhimtarinë, tregtinë me produkte bujqësore, do të japë subvencione, por më shumë subvencione për bujqit e vegjël dhe plus parashikojmë këtu ky institucion si qendror për bujqësori ta organizojë si degën tonë më perspektive në Maqedoni dhe njëherësh si degë më ekologjike, e me këtë duam edhe t’i mbrojmë zonat tona ekologjike. Siç e dini, ne jemi gjithashtu edhe kundërshtarë të mëdhenj të minierave që hapen në mbarë Maqedoninë. Kështu që mendoj se bujqësia është një degë e rëndësishme që duhet të nxitet te ne dhe me institucionin e këtillë qendror si bankë agrare do të mundësohet që bujqësia sërish të bëhet konkurrente.

Më pas, gjithashtu mund t’jua them idenë tonë për Institutin e Kanabisit në Fakultetin e Bujqësisë. Pra, ne parashikojmë edhe ligj të veçantë që do të rregullojë…

 A do të thotë kjo edhe legalizimi të kanabisit?

Po, do të thotë legalizim të kanabisit për përdorim rekreativ, por do të thotë edhe ide për zhvillimin e industrisë së kanabisit si nëndegë e bujqësisë dhe me këtë ligj si leks specialis, të rregullohet tregtia, prodhimtaria dhe mënyra e përdorimit të kanabisit, e jo sikur tani vetëm disa njerëz të afërt me pushtetin të marrin licencë dhe t’ua shesin licencat për para të mëdha ndërmarrjeve të huaja, ndërsa fëmijë të rinj të arrestohen për dy gramë marihuanë në qytet.

Kemi një fushatë jospecifike në kushte specifike të epidemisë së Kovid-19. Si promovoheni ju para votuesve?

– Ne në përgjithësi organizojmë shpërndarje të fletushkave dhe qasje deri te qytetarët, bisedojmë me ta. Mundohemi maksimalisht t’i respektojmë dispozitat që janë nga Komisioni. Atje ku shkojmë organizojmë maskat tona, dorëzat tona, por kemi një problem që njerëzit na pranojnë në mënyrë shumë të përzemërt dhe thjeshtë ndonjëherë në rrugë… Ne organizohemi diku në partinë, organizohemi disa njerëz, këtu tre, këtu do të shkojnë pesë veta, por thjeshtë kur do të dalim në terren njerëzit na bashkëngjiten nga një orë, 15 minuta, pra thonë: edhe unë dua të shpërndaj me ju dhe këtu është paksa problem. Por duhet të vësh maskë, duhet të vësh dorëza dhe ndonjëherë ndodhë që kjo të jetë një periudhë e caktuar që të ndodhë të ketë dikush që do të bashkëngjitet, e të mos i ketë këto gjëra. Por, kuptohet njeriu ynë përgjegjës në terren menjëherë qaset. Mundohemi që t’i respektojmë masat maksimalisht.

BDI doli në këto zgjedhje me moton “Shqiptari i parë kryeministër” dhe e promovoi Naser Ziberin  si kandidat të tyre për kryeministër të ardhshëm. Si e vlerësoni këtë strategji të BDI-së dhe çfarë sipas jush do të thoshte kjo për elektoratin shqiptar në vend?

–   Po, para së gjithash mendoj se kjo strategji e BDI-së është një një klithmë e dëshpërimit e një partie e cila tashmë e humb popullaritetin dhe qëndron në këmbë të qelqta, mbahet me forcë, do të thosha me ato vota zinxhir që i ka si rezultat i rolit të saj në Byronë e punësimit. Ideja për kryeministër shqiptar, do të thotë kryeministër mbi bazë etnike është në linjë të fundit primitive. Mendoj se elektorati duhet të mos shikohet si grup etnik, për shkak se partitë borgjeze … elektoratin e shikojnë si konsumues dhe u afrohen sikur u sheshin ndonjë lloj produktesh. Ne elektoratin e shikojmë si faktorë politik, faktorë aktiv. Konsiderojmë se pa pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, në jetën politike edhe pas zgjedhjeve nuk mund të bëhen disa ndryshime më serioze.

Prandaj, konsiderojmë se duhet të tejkalohet kjo ndarje e elektoratit dhe të qaset drejt tij me programe të pastra politike siç thuhet, dhe tani në këtë pjesë, është jashtëzakonisht vështirë të promovohen programe kur shikojmë se me çfarë qasje veprojnë partitë më të mëdha, gjegjësisht si i tërheqin votat. Pra, reklama e tyre është tërësisht e marketingut, siç thuhet. Siç thashë, si të shesin produkte. Nuk i arsimojnë votuesit fare, ndërsa ky është problem i madh sipas jush.

Disa ish-anëtarë të partisë tuaj e akuzojnë udhëheqjen aktuale të së Majtës se ka marrë përsipër kontrollin mbi partinë me falsifikimin e dokumenteve. Komenti juaj lidhur me këto akuza?

– Po, mendoj se këtu Gjykata mori disa vendime në favorin tonë dhe këtu përfundon historia, ndërsa akuzat e tilla janë shpifje e pastër dhe paraqiten gjithmonë para zgjedhjeve. Edhe kjo është tregues se çfarë qëllimi kanë. Tani nuk i shikoj aq shumë, por mendoj se këtu ka elemente të shpifjes nga disa individë që mendoj se institucionet kompetente në shtet duhet të reagojnë ndaj kësaj. Por, megjithatë, mendoj se këto janë disa personazhe minore që paraqiten qëllimisht pikërisht para fushatës zgjedhore dhe ne nuk merremi shumë me atë.

 Sa mandate pret e Majta në këto zgjedhje? A konsideroni se do të kishit gjasa më të mëdha për rezultate më të mira nëse do të ndryshonte sistemi zgjedhor dhe nëse do të vendosej një njësi zgjedhore?

 – Absolutisht, ne angazhohemi për një njësi zgjedhore dhe tërë kohën kemi kritika ndaj këtij modeli zgjedhor. Problemi me këtë model zgjedhor është ai se i njëjti nuk është korrekt, pra prej favorizimeve të shumta sistemore të partive më të mëdha, modeli zgjedhor është njëri prej atyre që i favorizon partitë e mëdha dhe ato mes vete kanë një marrëveshje të heshtur në raport me modelin zgjedhor dhe secila parti para se të vjen në pushtet premton (ndryshim), për shkak se nga Evropa, disa institucione të caktuara tërë kohën dërgojnë porosi se duhet të ndryshohet modeli zgjedhor. Ata premtojnë para zgjedhjeve, por më pas gjithçka mbetet me të vjetrën. Nuk e ndryshojnë për shkak se e dinë se sipas vlerësimeve tona, partitë e mëdha do të humbin rreth pesë-gjashtë deputetë dhe Parlamenti do të bëhet më shumëngjyrësh – forcat e reja politike do të mund të integrohen më shumë në jetën politike dhe prandaj nuk e bëjnë këtë.

Lidhur me atë se sa presim ne dhe me këtë model zgjedhor, presim të kemi së paku një grup parlamentar në Kuvend dhe shpresojmë se kjo edhe do të realizohet.

 Dhe për fund, porosia juaj drejtuar lexuesve të MEDIAL-s.

– Porosia jonë drejtuar edhe lexuesve edhe të gjithëve që kanë të drejtë vote është që të mos mashtrohen me fushatën e errët që zhvillohet në skenën politike, ndonëse në një pjesë të fushatës së errët ka edhe të vërtetë, por t’i shikojnë programet dhe idetë që rezultojnë nga partitë politike dhe gjithsesi të dalin për të shfrytëzuar votën e tyre. Sado që të jetë kjo e rrezikshme në një gjendje të këtillë me pandeminë megjithatë të mbrohen maksimalisht, t’i respektojnë maksimalisht rekomandimet që do të përcaktohen për procesin e votimit dhe të dalin e të votojnë.

Video: Asllan Vishko

Foto: Darko Popov