Korriku muaji i nxehtë i garës SHBA-BE për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë

E shtuna që lamë pas mund të kishte qenë ditë e shënuar kalendarike në historinë  e shtetit të Kosovës. Më 27 qershor, planifikohej që në Uashington, me ndërmjetësimin e emisarit të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell, të mbahej takim mes palës kosovare dhe asaj serbe, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, dy ditë para 27 qershorit, BE kishte thirrur në Bruksel palën kosovare, si tentim për arritjen e një pajtueshmërie për rinisjen e dialogut me Serbinë. Ndonëse takimet në Bruksel nuk prodhuan diçka konkrete, ai në Uashington dështoi pasi që Prokuroria e Specializuar e Hagës dërgoi në Gjykatë një aktakuzë kundër kreut të PDK-së, Kadri Veseli, dhe presidentit Thaçi, i cili në procesin e dialogut shihet si faktor i pazëvendësueshëm.

E korriku siç duket pritet të jetë muaj mjaftë aktiv në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë. Nga Bashkimi Evropian kanë thënë për lajmi.net se gjatë këtij muaji, pa dhënë ndonjë datë të saktë, do të rifillojë dialogu mes Kosovës e Serbisë.

“Ne presim që dialogu të rifillojë këtë muaj, siç̧ është njoftuar më herët. Data e saktë do të bëhet e ditur me kohë”, ka deklaruar për lajmi.net, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Lexo edhe:

Pavarësisht propozim-aktakuzës ndaj Thaçit, BE-ja planifikon rifillimin e dialogut këtë muaj

 

Ndryshe nga BE, në Uashington nuk është caktuar ende data e takimit të dytë mes Kosovës e Serbisë.

Dick Custin, zëdhënës në zyrën e emisarit special të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell, në një përgjigje për lajmi.net nuk ka dhënë ndonjë datë të re, apo afat për takimin e ri në Uashington.

“Nuk kemi asgjë për këtë çështje. Do të ju njoftojmë për më të rejat”, ka thënë Custin për lajmi.net.

Se SHBA-të do të ricaktojnë takimin në Uashington, e kishte konfirmuar edhe vet Grenell në një postim që kishte bërë para disa ditësh në Twitter.

Lexo edhe:

Grenell reagon pasi Hoti anuloi vizitën në SHBA: Do ta caktojmë një datë tjetër për takimin

 

Nga ajo që dihet deri tani, edhe BE-ja edhe SHBA-të nuk do t’i ndalin tentativat e tyre që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një procedurë më të shpejtë, dhe me synimin e një marrëveshjeje finale.

Mbetet të shihet nëse SHBA-të do t’i “kundërvihen” BE-së, duke caktuar takim në Shtëpinë e Bardhë, para se një i tillë të ndodhë në Bruksel.

Ndryshe, qeveria e Kosovës tanimë ka vendosur për formimin e një grupi ekspertësh për dialogun, në të cilin do të bëjnë pjesë  persona të cilët kanë përvojë  në këto procese.

Ndërkaq, nga ekspertët e politikave të jashtme konsiderohet se një dorëheqje e mundshme e presidentit Thaçi, do ta dobësonte në masë të madhe pozicionin dialogues të Kosovës karshi Serbisë. /Lajmi.net/

Aktakuza e ka dëmtuar pozicionin dialogues të Kosovës, pa Thaçin procesi vështirë i mundshëm