Anketë e NDI-së: Koalicioni i kryesuar nga LSDM është në epërsi ndaj koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE

Shkup, 2 korrik 2020 (MEDIAL) – Koalicioni i LSDM-së dhe Besës “Mundemi” është në epërsi ndaj koalicionit të VMRO-DPMNE-së, tregojnë rezultatet nga anketa e Institutit amerikan nacional demokratik (NDI), e mbajtur në qershor. Në pyetjen për kë do të votoni nëse zgjedhjet mbahen sot, 24,8 për qind e të anketuarve u deklaruan për koalicionin “Mundemi”, ndërsa 21,2 për qind u deklaruan për koalicionin e VMRO-DPMNE-së. Për BDI-në u deklaruan 7,2 për qind, ndërsa për koalicionin Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa 5,7 për qind.

Se sigurisht do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare u deklaruan 40 për qind e të anketuarve, ndërsa 29 për qind prej tyre thanë se sipas të gjitha gjasave do të votojnë. 41 për qind e të gjithë të anketuarve shprehin shqetësim lidhur me standardet demokratike të zgjedhjeve. Nga qytetarët e anketuar 46 për qind shprehin shqetësim lidhur me masat shëndetësore për mbrojtje.

Nga personat të cilët u deklaruan se nuk do të votojnë në zgjedhje, pjesa më e madhe apo 22 për qind thanë se nuk do të votojnë për shkak të frikës nga Kovid-19, 15 për qind thanë se do t’i bojkotojnë, ndërsa 12 për qind se nuk do të votojnë për shkak të pakënaqësisë dhe zhgënjimit nga të gjitha partitë.

NDI e zbatoi anketën e mendimit publik në terren, përmes intervistave sy më sy, prej 12 deri më 21 qershor në ekzemplarë reprezentues nacional prej 1.213 të anketuar të cilët janë mbi 18 vjeç.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 15 korrik. Fillimisht duhej të mbaheshin më 12 prill, por u shtynë për shkak të fillimit të pandemisë së Kovid-19. ab/