Rrjeti i Shitësve me Pakicë “shokon” me rezultatet e fundit, shpresa e vetme mbetet funksionalizimi i pakos së rimëkëmbjes

“Bazuar në rezultatet e anketës, 80% e bizneseve vlerësojnë se kanë pasur rënie domëthënëse të të ardhurave. Vendosja e masave kufizuese si dhe rënia e aktivitetit ekonomik si pasojë e gjendjes emergjente të shëndetit publik ka ndikuar në masë të madhe në operimet e bizneseve, gjersa një numër i konsiderueshëm i tyre edhe nuk janë lejuar të ushtrojnë aktivitetin ekonomik.

Në këtë drejtim, 60% e bizneseve konsiderojnë se kjo situatë ka ndikuar shumë në ndryshimin apo ristrukturimin e objektivave të tyre strategjike, duke vënë theksin mbi nevojën e intervenimit të institucioneve qeverisëse me masa stimuluese ekonomike”, thotë Rrjeti i Shitësve me Pakicë.

Ky rrjet thotë se rënia e fuqisë blerëse, likuiditeti i ultë, dhe zbutja e besimit të konsumatorit përbëjnë sfidat më të rëndësishme që kanë ndikim direkt në të bërit biznes gjersa situata me përhapjen e COVID-19 nuk duket optimiste. Në këtë drejtim, 80% e bizneseve konsiderojnë se do të ketë rënie të mëtutjeshme të konsumit pas pandemisë, duke sugjeruar kështu për një tronditje të madhe ekonomike.

“Megjithatë, përkundër dëmtimit të theksuar të zinxhirit të furnizimit gjatë kësaj periudhe, çmimi i produkteve në treg ka mbetur i njëjte, gjersa vështirësitë në furnizim vazhdojnë të mbeten problem për 20% të bizneseve. Lidhur me tregun e punës, 60% e bizneseve operuese në sektorin e shitjes me pakicë kanë bërë të ditur se nga puna kanë larguar apo pauzuar më shumë se 50 punëtorë pas përhapjes së pandemisë COVID-19. Në anën tjetër, 40% e bizneseve nuk kanë asnjë të punësuar të larguar apo pauzuar nga puna”, njofton ky rrjet.

Marrë parasysh këto të dhëna, Rrjeti i Shitësve me Pakicë, konsideron se situata e krijuar duhet të shërbejë si një klithmë për ndërhyrje sa më të shpejtë në ekonomi përmes një pako gjithëpërfshirëse stimuluese dhe se cdo vonesë në arritjen e konsensusit për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dëmton në themele bizneset.

Andaj, Rrjeti ripërserit shqetësimin e anëtarëve lidhur me diskursin politik dhe kërkon nga partitë politike të arrijnë konsensus për miratimin e Pakos të Rimëkëmbjes Ekonomike. /Lajmi.net/

Ngjarja paraprake

Më shumë se 30 periferi në Melburn përsëri në karantinë

Ngjarja e ardhëshme

Shyhrete Behluli nis pushimet, sjell pamjet e para nga plazhi

të fundit nga Lajme