Raporti i KLSH për teatrin, Spaho: Vërtetoi që është aferë korruptive, synohet ndërtimi i kullave

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe si ishte. Pas auditimit të të gjithë dokumentacioneve, vihet re shkelja e ligjit në tjetërsimin e qendrës historike dhe ndërhyrjen me qëllim dhënien e lejeve të ndërtimit. në mënyrë urgjente, audituesit kërkojnë  korigjimin e ligjeve në mënyrë profesionale dhe jo për tu bërë fasadë.

Në një intervistë për Ora News, nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho tha se raporti i KLSH-së vërteton se është një aferë e mirëfilltë korruptive dhe se synohet ndërtimi i kullave pas teatrit.

Edmond Spaho: ”Raporti i KLSH-së vërteton edhe një herë atë që është thënë prej kohësh, prej potjuajse 2 vitesh. Ajo është një aferë e mirëfilltë korruptive. Gjithçka që është bërë si nga bashkia e Tiranës por në rradhë të parë nga qeveria, ka pasur si synim ndërtimin e kullave pas teatrit. Këtë e vërtetojnë faktet e bëra publike nga Kontrolli i Lartë të Shtetit, që janë ndryshuar kufijtë e qendrës historike të Tiranës, janë ndryshuar për mënyrën e ndërtimit.”

Sipas Spahos, institucionet që duhej të mbronin qendrën historike të Tiranës i shërbyen qeverisë.

Edmond Spaho: ”Për fat të keq ato institucione të cilat i kemi krijuar dhe pretendojmë se do jenë roje për disa aspekte të caktuara, në rastin konkret Instituti i Monumenteve të Kulturës do të jetë roja dhe garantuesi i trashëgimisë kulturore të qendrës së Tiranës. Në fakt këto detyra nuk i ka bërë as Instituti i Monumenteve të Kulturës, as Këshilli i Restaurimeve, por i kanë shërbyer qeverisë si shtrat, si suport për të nxjerrë atë vendim të qeverisë për të ndryshuar kufijtë dhe për të lejuar ndërtime masive në qendrën historike të Tiranës. Sa për ndërtimin e teatrit nuk besoj se me këtë qeveri nuk do të rindërtohet ai teatër. Po të ishte kështu nuk kishte pse të prishej ashtu në atë mënyrë hajdutçe.”