Në Zvicër, karantinë për qytetarët që kthehen nga vendet me rrezik të lartë për COVID-19

Zyra Federale e Shëndetit Publik do të publikojë në mëngjesin e së enjtes listën e shteteve nga të cilat udhëtarët që rikthehen në Zvicër duhet të vetizolohen për dhjetë ditë, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë në Zvicër, Alain Berset.

Ai ka përmendur Suedinë si shembull i shtetit që mund të përfshihet në listë.

Rastet e reja me koronavirus në Zvicër janë shtuar shpejt që nga mesi i muajit qershor, me të mërkurën që regjistroi 137 raste të reja, rritje enorme nga 10-20 sa ishin për ditë në fund të majit.