Ministrja Shekerinska e vizitoi Kampin e ARM-së për trajnim në ujë në Ohër

Ohër, 1 korrik 2020 (MEDIAL) – Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot ishte për vizitë pune në Kampin për trajnim në ujë të ARM-së në Ohër, ku pjesëtarëve të njësitit për herë të parë iu drejtua si pjesë e ushtarëve që janë pjesë e kapaciteteve të NATO-s.

“Mund të jeni të kënaqur dhe krenarë pasi është bërë një punë e madhe. Anëtarësimi në NATO dhe buxhetet e rritura çdo vit do të na japin mundësi shumë më shumë të investojmë në të gjitha njësitet dhe në pjesët e ndryshme specifike të armatës. Qëllimi do të jetë të investojmë në një trajnim më të mirë dhe pajisje pa të cilën nuk mund ta kryeni punën tuaj”, tha ajo.

Ministrja theksoi se në periudhën e kaluar aktivitetet në kuadër të Ministrisë janë drejtuar nga përmirësimi i gjërave të vogla që do të thonë jetë – paga më të mira dhe kushte për punë.

“Pagat çdo vit shënojnë rritje, fillimisht dhjetë për qind, pastaj pesë, pastaj rritje për personat civilë në shërbim në ARM, këtë vit edhe kompensimi për banim. Nëse në vitin 2017 një ushtar profesionist në shtëpi i çonte 20 mijë denarë, tani ai me rritjen i merr mbi 32 mijë denarë”, tha ajo, duke paralajmëruar uniforma të reja edhe për pjesëtarët e njësitit për sigurimin e kufirit në Liqenin e Ohrit por edhe furnizime të rregullta të pajisjes për armatën në tërësi.

Shekerinska theksoi se kushtet e përmirësuara për punë në armatë rezultojnë edhe me interesim të madh për angazhimin profesional, konfirmuar me numrin e personave të paraqitur në konkurset për pranim në ARM. Në konkursin e fundit për 70 vende për pranimin e ushtarëve profesionistë në ARM janë paraqitur mbi 700 kandidatë. shk/