Si u rikthye koronavirusi në Kinë

Kina ka rikthyer izolimin strikt në një zonë pranë Pekinit, pas një rritjeje të vogël të numrit të rasteve me koronavirus.

Izolimi në qarkun Anksin të provincës Hebei prek rreth 400,000 banorë.

Zyrtarët thanë se Anksini “do të mbyllet plotësisht” dhe se “do të kontrollohet”.

Vetëm punëtorët thelbësorë lejohen të dalin nga shtëpitë, ndërsa një anëtar i një familjeje lejohet të dalë një herë në ditë për të blerë ushqime.

Anksini ndodhet rreth 150 kilometra në jug të Pekinit.

Mediat kineze thonë se në dy javët e fundit atje ka pasur 18 raste të reja.

Për të shmangur valën e dytë, autoritetet shëndetësore thonë se edhe rritjet e vogla të rasteve merren shumë seriozisht.

Anksini nuk është aq i populluar sa qendrat e mëdha urbane të Kinës dhe ekspertët lokalë të shëndetit thonë se janë optimistë se përhapja e koronavirusit mund të ndalohet.

Kina, e cila është vend i origjinës së koronavirusit, ka regjistruar mbi 84,000 të inefktuar dhe mbi 4,600 viktima, edhe pse këto shifra besohet të jenë më të larta.