SHBA, situatë e rrezikshme në Teksas

“Përhapja e koronavirusit ka marrë një kthesë të shpejtë dhe shumë të rrezikshme në shtetin amerikan të Teksasit”, ka paralajmëruar guvernatori Gregg Abbott.

“Vetëm gjatë javëve të fundit, numri i rasteve ditore ka shkuar nga një mesatare prej 2 mijë në më shumë se 5 mijë”, tha Abbott.

Disa shtete jugore dhe perëndimore kanë regjistruar një rritje të rasteve pasi kufizimet u zbutën. Numri i infektimeve të raportuara në SHBA tashmë i ka kaluar 2.5 milionë. Mbi 125 mijë pacientë me Covid-19 janë konfirmuar të kenë humbur jetën në të gjithë vendin, më shumë se në çdo shtet tjetër të botës. Rritja e rasteve ka bërë që zyrtarët në Teksas, Florida dhe shtete të tjera të forcojnë kufizimet mbi biznesin sërish, me paralajmërimin se spitalet, shumë shpejt do të tejmbushen.

Të dielën, Abbott tha se rreth 5 mijë njerëz në ditë po shtrohen në spital për trajtim zëvendëspresidenti Mike Pence tha se Teksasi do të pajiset me kite testimi shtesë për sa kohë që të jetë e nevojshme.

“Do të sigurohemi që Teksasi dhe sistemi juaj shëndetësor atje të ketë burimet dhe personelin për të përballuar këtë moment”, tha Pence, zëvendëspresidenti i kërkoi teksanëve të mbajnë maska duke thënë se tashmë dihet nga eksperienca se ato do të ngadalësojnë përhapjen e koronavirusit.

Të dielën, Arizona po ashtu regjistroi një rritje rekord të përditshme prej më shumë se 3800 rastesh. Qindra njerëz raportohet ndërkohë të kenë udhëtuar drejt lumenjve në shtet për ti shpëtuar motit të nxehtë. Ndërsa në Florida, guvernatori ka rikthyer kufizimet duke urdhëruar baret në shtet të ndalojnë shërbimin e alkoolit në ambientet e tyre. Në Kaliforni, guvernatori Gavin Newsom, urdhëroi mbylljen e bareve në Los Angeles dhe gjashtë konte të tjera duke paralajmëruar se virusi nuk është larguar.