Koni shkresë Shahinit: Procesi i diplomave master të studentëve ka ngecur te Dhori Kule

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka reaguar lidhur me çështjen e diplomave të studimit master të studentëve të Fakultetit Ekonomik.

Në një deklaratë për mediat, Koni thotë se për problematikën e krijuar për firmosjen e diplomave, për një numër studentësh të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka shprehur qëndrimin e saj, aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe të udhëzimit përkatës të nxjerrë nga ministri përgjegjës për arsimin, në lidhje me këtë çështje.

Për këtë ai i është drejtuar sot Minsitres me një shkresë,  ku thotë se qëndrimi i tij ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm, mbetet i njëjtë.

Për sa kohë që nga ana e drejtuesit të njësisë kryesore të Fakultetit të Ekonomisë të UT, z.Kule, nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (detyrim ligjor ky, siç kanë vepruar të gjithë dekanët e tjerë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në gjithë këto vite), për vitin akademik 2017-2018, 2018-2019, Koni thotë se e bën të pamundur lëshimin e këtyre diplomave nga Universiteti i Tiranës.

Në këto kushte, këto kartona (jo diploma), nuk mund të nënshkruhen nga Rektori i Universitetit të Tiranës.

“Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre”.

Sipas Rektorit të UT, kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Koni siguron studentët e prekur se të gjitha përpjekjet e tij, kanë qëllim vetëm zbatimin e ligjit dhe për të mos cënuar ligjshmërinë dhe vlerën e diplomës së tyre universitare.

Nga ana tjetër, u kërkon të mos bien pre, as e provokimeve dhe as e keqinterpretimeve të askujt, që përpiqet për ta bërë këtë gjë, sepse, të jeni të sigurtë që shumë shpejt, ligjshmëria dhe e drejta do të triumfojnë.