“Isha e lidhur me të dy, por…”, flet vajza që nxori në pritë Hekuran Billën

Nis gjyqi ndaj Adiola Lakrës, vazjës që nxori në pritë Hekuran Billën në atentatin e ndodhur në mbrëmjen e 11 qershorit te Komuna e Parisit.

Në sallën e gjyqit, Adiola Lakra ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe nuk ka pranuar se është paguar për të nxjerrë në pritë Billën. “Unë kam qenë e lidhur me Sebastian Malin, pasi jetoja në të njëjtin pallat ku e ëma e tij kishte parkukerinë. Jemi lidhur, por më pas jemi ndarë, fillimisht më ka bërë Billa ftesë në instagram kemi folur dhe jemi lidhur, ne gjithmonë takoheshim në të njëjtin vend pasi Hekurani nuk lëvizte”, ka deklaruar në sallën e gjyqit Adiola. Ajo ka shtuar se nuk e dinte se ndiqej nga Sebastian Mali, duke shtuar se nuk kishte dijeni për hasmërinë mes Viktor Markut dhe Hekuran Billës

Adiola Lakra u ndalua nga policia e dyshuar si bashkëpunëtore në krimin ndaj Billës.

Sipas policisë, ajo dyshohet se ka qenë pjese e planit në vrasjen e Billës. Edhe pse policia nuk ka sqaruar pozicionin e saj dyshohet se mbrëmjen e 11 qershorit Hekuran Billa priste të renë në afërsi të qendrës tregtare.

Tabulatet telefonike kanë zbuluar se 26-vjeçarja ka patur njohje dhe lidhje intime me viktimën, megjithëse ka mohuar akuzën e ngritur ndaj saj për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Gjatë marrjes në pyetje, ajo nuk ka pranuar se ka nxjerrë Billën në pritë, por e priste në një bar në afërsi të zonës.

Pasi hetuesit i kanë kërkuar aparatin celular ajo e ka thyer atë. Nga ana tjetër, prokuroria dyshon se 26-vjeçarja ka pasur lidhje me Sebastian Malin, pasi kur ka dorëzuar mjetin tip Nissan Micra ka qenë së bashku me Adjola Lakrën. Kjo e ka kthyer menjëherë në një person të dyshuar. Më herët, gjykata la në burg Viktor e Sebastian Malin edhe pas pretendimeve të tyre se nuk kanë lidhje me ekzekutimin e Billës. Por, për prokurorinë vrasja është bërë për gjakmarrje pas ngjarjes së vitit 2006, ku Billa, në atë kohë 28-vjeçar, qëlloi për vdekje vëllain e Viktorit, Prel Markun.