Ambasada greke në Tiranë mohon zëdhënësin e qeverisë: Nuk hapen kufijtë me Shqipërinë pas datës 1 korrik

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas u shpreh sot se Greqia po përgatitet që të hapë pikat kufitare të vendit me shtetet e tjera përfshirë edhe Shqipërinë që prej datës 1 korrik.

Sipas tij duke filluar nga data 1 korrik do të lejohet të ankorohen tragete në të gjitha portet e vendit, ndërsa do të hapen edhe aeroportet si dhe pikat e kalimit kufitar tokësor.

Në listën e pikave kufitare që do të hapen janë edhe Kakavija me Kapshticën.

“Nga pasnesër, ardhja e anijeve nga jashtë në portet greke është e lejueshme. Në të njëjtën kohë, po hapen kufijtë hyrës të Evzoni, Kakavisë, Kapshticës, Promachonas, Nymfaia, Kastania dhe Kipi.

Qeveria vazhdon të përgatitet për të siguruar mbrojtjen maksimale të mundshme të shëndetit të punëtorëve në industrinë e turizmit si dhe të gjithë frekuentuesit në destinacionet turistike“, u shpreh Petsas.

Por duket se kjo deklaratë bie ndesh me ambasadën greke në Tiranë.

Sipas tyre nuk lejohet hyrja e personave nga Shqipëria për në Greqi përmes linjave detare, rrugore apo hekurudhore.

Ambasada njofton se ky regjim lëvizjesh pritet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas datës 1 korrik.

“Sipas udhëzimeve evropiane për hapjen e kufijve të BE-së dhe vendimeve respektive zbatuese të Greqisë, në lidhje me udhëtimet nga Shqipëria për në Greqi, parashikohet mundësia e realizimit të fluturimeve drejt aeroportit ‘Eleftherios Venizellos’ të Athinës.

Nuk lejohet hyrja e personave nga Shqipëria për në Greqi përmes linjave detare, rrugore apo hekurudhore.

Përjashtohen: a) Qytetarë Grekë, posedues të Kartës së Veçantë të Identitetit të Homogjenit, poseduesit e lejeve të qëndrimit, si dhe persona që kanë banesën kryesore të tyre apo që qëndrojnë zakonisht në Greqi, b) kalimi i kamionëve për transport mallrash, c) transporti i mallrave me anije, d) hyrja e personave nëpërmjet kufijve tokësorë, për lëvizje absolutisht të nevojshme të karakterit profesional, të cilat i faktojnë me dokumentet përkatëse.

Ky regjim lëvizjesh pritet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas datës 1 korrik.

Ambasada e Greqisë në Tiranë do të lajmërojë menjëherë me njoftim të saj, për çdo ndryshim që mund të rezultojë”, thuhet në një reagim të ambasadës greke në Tiranë.