Si u shkarkua Akademik Nexhat Daci? (II)

Milazim Haliti: Në këto kohë nuk është dashur t’ bëjmë këto ndërrime. Deri më tash, askush, jo vetëm ne, por as qytetari i thjeshtë, nuk është bindur pse duhet të ndërrohet Kryetari Daci. Thuhet se është një vendim i vështirë dhe i domosdoshëm. Pse s’mund ta shpjegomë këtë domosdoshmëri? Është thënë se këtë po e kërkon Amerika. Tash po del se nuk po e kërkoka Amerika… Ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë pse ta bëjmë këtë ndërrim të kuadrove që i nominoi Presidenti Rugova, fytyrat më të ndritura të LDK’së, me një votë shumë të lartë të anëtarësisë së LDK’së. Mendojmë se po realizojmë një skenar dhe politikë që po e kërkon opozita. Po ja plotësojmë dëshirën ORA’s dhe Veton Surroit. Ne si deputetë të LDK’së, ka qenë e udhës që të bisedojmë për vërejtjet eventuale, ose për punët që s’po i bën mirë Nexhat Daci. A nuk mund të ulemi që ta bëjmë një vlerësim dhe ta japim një vërejtje, qoftë edhe me shkrim? T’i jepet mundësia Dacit për korrigjim, nëse ka gabuar ndonjëherë… Unë nuk e di që ka gabuar… Unë e di që herë pas herë ua ka prishur tymin ndërkombëtareve me disa deklarata, që mendoj se kanë qenë shumë me vend e të fuqishme. Ne gjithherë zotohemi se do ta vazhdojmë rrugën e Presidentit Rugova, do ta çojmë amanetin e tij në vend…. Athua, është kjo rruga e Rugovës? Ende nuk u bënë dy muaj dhe ende trupi nuk i ka pushuar mirë, e ne po u hyjmë këtyre punëve… Mendoj se ky vendim është shumë i ngutshëm, jo i qëlluar. Nuk mund ta ngris dorën për këtë ndërrim. Dhe. nuk do ta bëj këtë. Unë po e shoh se LDK e mori teposhtëzën prej këtij momenti… Pasojat e këtij vendimi – do t’i shohim gjatë zgjedhjeve. Nëse ne bëjmë këso largime, çka do të presim në zgjedhje? Do të tregojmë se jem parti jostabile… dhe për këtë elektorati do ta thotë fjalën e vet… Mendoj se kjo çështje duhet të shkojë në Këshillin e Përgjithshëm. Statusi i LDK’së duhet të respektohet. Të gjithë do ta pranojmë atje vendim, por jo në këtë formë. Pse votuan 15 vetë në Kryesinë e LDK’së? Natyrisht që votojnë, sepse është thënë se – ai që s’voton këtu, ai voton kundër Amerikës…

Eqrem Kryeziu: Është vendimi i Kryesisë së LDK’së për zëvendësim… Nuk kemi manipuluar me fraza…. Por ende besoj se Brukseli dhe Washingtoni e duan një gjë të tillë. Jo kundër Nexhat Dacit personalisht. As kundër Bajram Kosumit personalisht. Pse e përkrah demokracia perëndimore këtë…? Duhet ta provojmë këtë test… Hej…. Kujt po ja japim këtë pavarësi…? Test e kemi… A do të shkatërrojmë këso plane ne? Nëse shkatërrojmë, ata mund të thonë – mirë… po shohim edhe për pak mbikëqyrje, sepse janë të papjekur….A do të mundet që Nexhat Daci të pijë kafe me Eqrem Kryeziun, pas kësaj, apo jo? Testi kryesor është ky. Leni doktrinat, sepse demokracia perëndimore i ka lënë doktrinat qesharake. I ka disa parime të cilat janë qe 600 vjet në rrugë politike për të drejta….Ky është test. Nëse s’kemi pjekuri, shkatërrohemi, mirë le të shkatërrohemi. Nuk ka asgjë personale. Nuk ka grushtshtet. Ka vetëm keqardhje personale… Nuk besoj se këto keqkuptime do të marrin trajtën e reagimit revanshist. Është e vërtetë se testin e pret demokracia perëndimore… jo kundër Dacit, jo kundër Kosumit…

Naser Osmani: Ne përpara në LDK kemi marrë vendime edhe atëherë kur s’na kanë pëlqyer, sepse kemi marrë anën a partisë. Nëse ju kujtohet, është dashur që ta çojmë dorën edhe për Ramush Haradinajn, sepse na ka thënë partia që duhet ta votojmë Ramushin. Por, mbi të gjitha, unë si deputet, si Naser Osmani, nuk do ta kisha ngritur dorën kundër Nexhat Dacit. Është tjetër muhabet nëse janë këta anëtarë të Kryesisë së LDK’së të mirë, a janë të qëlluar…. Mirëpo, derisa janë këta, unë do t’i respektoj.

Alush Gashi: Flet tash Kryetari i Kuvendit…. Grupi, qetësi ju lutem….

Nexhat Daci: Nëse GP i LDK’së e arsyeton atë se e ka kërkuar Washingtoni dhe Brukseli, atëherë mirë… Secili prej nesh nuk do të pranonte të binte në kundërshtim. Prandaj, kjo duhet të hiqet, të eliminohet, sepse edhe njëri edhe tjetri, në të gjitha deklarimet e kanë demantuar këtë…

Lulzim Zeneli: Ne nuk duhet të dalim nga kjo sallë me dyshime. Dilemat ekzistojnë. Nënkryetari Eqrem Kryeziu këtu nuk dha argumente. Pse ne duhet të pajtohemi? Unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë vendimin e Kryesisë së LDK’së, pavarësisht se çka mendoj personalisht. Por, si deputetë, duhet ta sqarojmë një herë e mirë – pse ky vendim? Ku ekzsiton faktografia e krejt kësaj? Testet janë shumë të rrezikshme. Testet që bëhen me figurat, me veprimtarët e LDK’së, me strukturat e LDK’së, e çojnë LDK’në në shkatërrim. Ne po luajmë “symbyllur”. Po bëjmë eksperimente. Ku mbetet LDK nesër? Çfarë pozite do ta ketë? Po realizohet një projekt i caktuar, pavarësisht se cili është ai projekt. Testet janë shumë të rrezikshme, kur nuk i njohim konditat, mekanizmat. Çka do të sjellë nesër? Ne nuk po e shohim se çka do ndodhë pas largimit të Kryetarit Daci prej Kuvendit? Në këtë rrugë që po e përcjellë LDK’në, ekzistojnë disa elemente të cilat vërtet po më habisin. Unë e kam pasur fatin qe pesë vjet të jem anëtar i Kryesisë së LDK’së dhe tri vjet të jem zëdhënës i partisë. Mirëpo, këto forma aq shkaktojnë dilema të mëdha, që do të reflektohen në elektorat me pasoja drastike. Ndoshta më është thënë se e mbroj shumë partinë dhe më kanë thënë partizan i partisë. Ka qenë një gjë që Presidenti Rugova e ka kërkuar prej meje këtë dhe e kam pranuar. Ta kemi një gjë të qartë. Ne po bëjmë një lojë shumë të rrezikshme, për mendimin tim. Loja do të reflektohet nesër. Çka fiton LDK me këtë, do të mbetet të shihet. LDK ka elektorat. AAK nuk ka elektorat, le të bëjë eksperimente sa të dojë. Ndërsa, LDK po shihet prej zgjedhjeve të para ka vetëm rënie. Në zgjedhjet e para lokale Nexhat Daci i ka pritë listës për zgjedhje. Dikujt do t’i duket qesharake, por pasojat do të barten nesër…

Sabri Hamiti: Po më pëlqen se kur kam thënë unë, më keni anatemuar me këto. Jam shumë i lumtur çka po dëgjoj sot….

Lulzim Zeneli: Po flasim për një politikë që e udhëheq LDK që duhet të debatohet. Deri dje e kemi përqafuar çdo vendim të Presidentit Rugova dhe kjo ka qenë pa asnjë fije dyshimi. Dikush prej nesh kish deklaruar se Presidentin Rugova e kemi përkrahur edhe atëherë kur e ka pasur gabim… kjo është absurde. Z. Eqrem Kryeziu përmendi këtu plane e teste… Nuk është kjo zgjidhje. Testet e tilla, programet e tilla, artikulimet që ndodhin jashtë LDK’së, që fatkeqësisht LDK po bëhet argat, nesër do t’i shohim pasojat, të cilat do të jenë aq të mëdha sa nuk mund t’i paramendoni. Eqrem Kryeziu është aty pas vdekjes së Presidentit Rugova, duhet ta pranojmë këtë fakt. Qe pesë vjet, pas luftës, nuk ka marrë pjesë në Kryesi. Një vendim i tillë për zëvendësim nuk është i bazuar në argumente. Dhe, është test i rrezikshëm për LDK. Teste të tilla kurrë s’i ka përcaktuar as Presidenti Rugova, as vetë LDK. Ne e kemi pasur një politike konsistente, tash nuk e kemi. Ende nuk e kemi pranuar një fakt – se Presidenti Rugova ka vdekur.

Nimon Alimusaj: Atë ditë, para mbledhjes, në Kryesinë e LDK’së, Eqrem Kryeziu na tha se – na është thënë që Brukseli dhe Washingtoni e kërkojnë këtë test që të bëhet. Dhe, është shtruar kjo dilemë: a mundet dikush të sillet në mënyrë komode sa për një individ të rrezikojë simpatinë e atyre që na kanë çliruar? Deshëm s’deshëm, Amerika na ka çliruar. Në është thënë se as partia dhe as GP nuk ka kontest me Nexhat Dacin. Secili që ka folur fjalët më të mira. Nënkryetari tha se kjo është kërkuar… dhe është mirë të argumentohet…. Këshilli i Sigurimit ka dhënë jo një herë vërejtje për udhëheqjen e Kuvendit. Kjo u tha edhe prej Shefit të GP në media. Do të ishte mirë që të verifikohet kjo çështje, që zoti Daci të na tregojë vetë nëse i është dhënë nga faktori ndërkombëtar ndonjë vërejtje….

Nexhat Daci: Kurrë….

Nimon Alimusaj:…. Nëse është ngatërruar ORA, që është partia më alergjike për mua, unë kurrë s’do ta kisha ngritur gishtin. Veç këtë test ta provojmë… Nëse bëhet fjalë për këtë test, e unë e kam besuar, nëse e do momenti historik që Nexhat Daci të largohet, unë çoj dorë. Daci po thotë kurrë s’ka marrë vërejtje. Të gjithë e dimë se kur zgjedhet deputeti prej partisë, çfarë obligime ka ai për partinë…

Një deputet (nuk dallohet nga zëri se kush është): Nëse në mënyrë indirekte, vetëm një sinjalizim i vogël është dhënë nga faktori ndërkombëtar për këtë ndërrime, kjo nuk bën të diskutohet. Dhe, pikë. Shkon kushdoqoftë, pavarësisht se ka qenë intelektuali më i afirmuar dhe i respektuar. Por, këtu s’ka bisedë për këtë çështje më. Le të fillojë të mendojë politikisht…

Sanije Alijaj: Para anëtarëve të Kryesisë së LDK’së është diskutuar nevoja për t’u bërë ndryshimet. Është prezantuar se ndihet një nevojë e madhe për të ecur proceset në Kosovë. Kam deklaruar se për hir të proceseve dhe të Kosovës – do ta sakrifikoja edhe jetën. Por, një gjë po ju them, nuk është votuar për shkarkim, por për një ndërrim. Nëse kjo bëhet për proceset në Kosovë, atëherë do të punojmë për interesin e proceseve në Kosovë. Por, nëse nuk është kështu, atëherë është një pikëpyetje e madhe… Besoj se deri më sot të gjithë kemi mbështetur proceset në Kosovë. Le të krijohet një bindje sot se kjo punë po bëhet për hir të proceseve në Kosovë, dhe çdo gjë është në rregull. Por, kërkesa ime është: mos të na kërkohet të votojmë si Grup Parlamentar, sepse shumë rëndë e kemi. Pas vdekjes së Presidentit Rugova, është pak më vështirë t’i bëjmë këta hapa konkretë. Ne jemi para disa iniciativave, që ne e kemi dilemën përpara – athua po e forcojmë LDK’në, athua po i forcojmë institucionet tona, apo e kundërta? Dilemat janë shumë të mëdha. Vështirë e ka dikush të më bindë që ta ngris dorën kundër figurave, por Kosova është më e madhe. Le të na tregojnë këta që i kemi përpara – se cilat janë interesat më të mëdha…

Fadil Geci: Çka na u desh neve, në këto momente të vështira, t’u hyjmë këtyre punëve? A nuk ka mundur Presidenti Ibrahim Rugova që t’i bëjë këto punë, e neve të mos na dëgjohej zëri? Jam për ta respektuar atë që është në interesin tonë të përgjithshëm… Në interesin tonë të përgjithshëm është që të jemi bashkë në LDK. A ka mundësi që ne, si GP, të dalim nga këtu të fortë? Qëllimi ynë është shteti i Kosovës, pavarësia e Kosovës. Qëllimi ynë është që me këto figura të ecim përpara. Krejt vullnetin e kam pasur kur e kam parë Sabri Hamitin, Nexhat Dacin dhe Fatmir Sejdiun… Çka u bë tash? Pse kjo përçarje? A ka mundësi që të bëjmë çka të mundemi – për të ecur bashkë? Ky është edhe amaneti i Presidentit Rugova. Të dalim të fuqishëm… që dhe elektorati, dhe bashkësia ndërkombëtare, ta shohë se këtu ka kapital. Çfarë teste duhet të bëjmë? Mos të hyjmë të votojmë “për” dhe “kundër”, e të përçahemi, sepse kjo është e rëndë. Kthejeni këtë në parti, e diskutojeni edhe një herë….

Një deputet (nuk dallohet nga zëri se kush është): A mund të kthehemi prapa pas krejt këtyre? LDK e ka Kosovën. A do ta dobësojmë apo do ta forcojmë LDK’në? Mendoj se bashkë do ta forcojmë LDK’në dhe do të ecim përpara. Profesor Dacin e respektoj shumë. Pashë Zotin, të mos dalim nga këtu me përçarje. Të dalim nga kjo situatë duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit….

Alush Gashi: Nuk e kemi në rend të ditës – a po prishet LDK a s’po prishet. Në rend dite e kemi zëvendësimin e dy anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit. Nëse Kryetari i Kuvendit nuk i jep mbështetje propozimit të Kryesisë së LDK’së, ne do të votojmë. Dhe, këtu nuk është fundi i dynjasë. Ne si deputetë të GP, nuk kemi mandat tjetër. Të gjitha këto shqetësimet tjera – janë debat për Kryesinë e LDK’së, atje… Unë e kam në rend dite që t’i shqyrtojmë këto dy çështje, në mënyrën më demokratike të mundshme…. T’ju përmend diçka… Ne jemi ai Grup Parlamentar që nuk e kemi pranuar Raportin e Qeverisë së Kosovës. A ju kujtohet? Kur nuk e kemi pranuar? Nuk e kemi pranuar, pasi që e kemi diskutuar në Kryesinë e LDK’së. Pasi që e kam lexuar, nuk mund të gjeja substancë që është raport. Kam shkuar të Kryetari i Kuvendit dhe i kam thënë – çka të mirën të bëjmë me këtë? Kam shkuar edhe te Fatmir Sejdiu, për të pyetur si t’ia bëjmë kësaj pune…. i kemi në koalicion… Kemi vendosur se nuk mund ta pranojmë këtë raport, le të urdhërojnë zotërinjtë e le ta ndryshojnë… Nuk dua të hap tema të tjera…. Janë raportet e OSBE’së për procedurat në Kuvendin e Kosovës.. Është raporti i dytë i Këshillit të Sigurimit për Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë… Ne qorra nuk mund të bëhemi… Unë ju lutem, edhe Kryetarin Daci e lus, që t’i bashkohet këtij procesi. Nuk kemi votuar në Kryesi të LDK’së për ta shkarkuar. Unë dje e kam parë një ndeshje… doli një prej lojtarëve më të mirë të ekipit, pasi i dha dy gola…. Por, këtu ka të drejtë çdo deputet, së pari do të ballafaqohet me vetveten dhe me partinë. Ne e kemi kulturën që këtu ta pranojmë edhe votën negative…. Nëse është negative, le të jetë…. Ka ende mundësi që ky zëvendësim të bëhet me atë mbështetje që ia ka dhënë GP Kryetarit Daci në raport me deklaratat e ORA’s… por kjo është çështje tjetër… Ne, tash, shtrojmë pyetje, si GP: A i pranojmë vendimet e organit tonë apo nuk i pranojmë?

Besa Gaxherri: Cilat vendime? S’janë vendime…

Alush Gashi: Vendime me nënshkrimin e tre nënkryetarëve të partisë, pa asnjë votë kunder, zonja deputete…

Besa Gaxherri: Por ju thatë se nuk është vendim, por propozim….

Alush Gashi: Kryesia ka marrë vendim për të propozuar Kryetarin e Kuvendit. Ju lutem, më shumë po i lutem Kryetarit të Kuvendit, që të na ndihmojë në këtë çështje… Por, është e drejtë e tij që të marrë vendimin që e konsideron se është më i drejti. Ne jemi të detyruar që ta shfrytëzojmë të drejtën edhe për të votuar, natyrisht. Si të doni ia bëjmë…

Kolë Berisha: Posti për të cilin bëhet fjalë tash… e konsideroj sakrificë e cila mund edhe ta djegë atë pjesë timen….nëse ka diçka në atë pikëpamje… duhet thënë se nuk është kërkesë imja…

Bexhet Brajshori: Dua t’ju them, kolegë të nderuar, një përvojë timen të vogël. Po e tregoj, për herë të parë, para jush. Para një viti, Presidenti Rugova na ka ftuar të gjithë ish ministrave, për punën e zëvendësimeve. I kam thënë – President, këto janë vendime që rrjedhin normalisht, jeta i sjell, nuk është se nuk e kam hidhërimin tim, por ndoshta ka qenë e rrugës që para se të merret ky vendim, të na tregonit pse duhet bërë kjo. Por, kam shtuar se – i bindem kësaj, nëse konsiderohet se vërtet duhet bërë diçka të tillë për hir të proceseve. Do t’ju lusja, mos na sillni në aktin e votimit. Mora shembullin tim, për të treguar se shpesh mund të gabohet edhe në hapa, por proceset duhet ecur përpara.

Ibush Jonuzi: Në momente të rënda jemi. Pajtohen që u tha se është bërë gabim në procedurë. Kemi mundur të bisedojmë në forma të ndryshme, në mënyrën më të mirë. Është momenti që jo vetëm si deputetë, por si shqiptarë, e mbi të gjitha si anëtarë të LDK’së, të jemi bashkë. Të gjithë e dimë si është gjendja në terren. Ata e kanë pasur mbështetjen në LDK tash e 16 vjet. Edhe sot e kanë mbështetjen në LDK. Prandaj, nuk guxojmë të dalim nga këtu pa qenë unikë. Në mandatin e kaluar, e ka thënë Presidenti Rugova, se kemi qenë Grup Parlamentar i mirë. Edhe tash ne duhet të jemi të mirë. Nëse duhet, rrimë deri në mëngjes, por prej kësaj dere të dalim bashkë, ndryshe do të humbim. Po u nda qoftë edhe një deputet, do të jetë dëm për LDK’në. Ju lutem, të gjejmë forcë që t’i kalojmë bashkë këto momente të rëndësishme, ndryshe nuk bën.

Alush Gashi: Kryetari Fatmir Sejdiu e ka fjalën…

Fatmir Sejdiu: Nuk ka pasur askush qëllim që me këtë akt të bëjë një denigrim. Është biseduar me konsensus në Kryesinë e LDK’së. Një gjë e kam thënë atje, e po e them edhe këtu, le të më dëgjojë edhe Profesor Nexhat Daci. Ka pasur biseda, të cilat, thjesht, kanë insistuar që të mbështetet procesi si proces dhe të mos kemi pengesë vetveten në disa hapa për të lëvizur më shpejt. Nuk është akuzë e drejtpërdrejtë. Ka pasur edhe të tjerë, Profesor Daci e them këtë, të cilët në faza shumë kritike ju kanë sharë. U kam thënë në gojë – mosni se nuk i bën nder askujt, as me këtë qasje, as me atë qasje. Për ne është shumë me rëndësi që të ndërtojmë një veprim për sfidat më të mëdha që do t’i kemi. Besoj se kemi energji. Është shumë vështirë për ta siguruar vullnetin e të gjithëve për diçka… është teori e moçme…por është nevojë që të sigurojmë një vullnet të përbashkët, që ka kuptim të mbledhjes së energjisë së përbashkët për të ecur më tej. Jua them edhe do sprova të tjera të përbashkëta, që Profesor Dacit ia kam thënë. Unë kam qenë në Komision për Legjislacion… vazhdimisht monitorimet që na kanë ardhur, mund të jenë të qëllimta, gjithmonë na kanë vënë në një situatë tepër të rëndë të ballafaqimit me opozitën… Dhe, ju kujtohet formulimi që kemi nxjerrë në Kuvend, që të respektohet rregullorja, pa nevojë, pa nevojë të adresimit konkret, në personalitetin e tij, sepse është njeriu ynë që ne e kemi çuar….Dhe i kemi dhënë mbështetjen. I dinë njerëzit përplasjet që kam pasur me ata njerëz aty, edhe me Veton Surroin, edhe me të tjerët. Në këtë fazë të zhvillimit, ka një nevojë, pikërisht për ato, si dhe elementet që i tha edhe Shefi i GP, që të ngjeshët një radhë tjetër e veprimit, pa e kuptuar si shkarkim, por një proces të zëvendësimit në fazë. Kjo nuk nënkupton përjashtimin e Profesor Dacit nga radhët tona, jo largimin e tij për të shkuar, siç trumbetojnë gazetat, për të krijuar tash një parti të re politike, ajo është çështje e vullnetit të secilit prej nesh. Të jemi në këtë ekip, në këtë kompozicion, kemi çka të punojmë më tepër, veçanërisht në këtë fazë. Ne do ta kemi një fazë të sprovës së madhe të gjithë se bashku. Nuk është vetëm Fatmir Sejdiu. Në këtë proces do të jemi bashkë, sepse do të vendosim bashkë për fatin e Kosovës. Këtu jam shumë i përgjegjshëm. Ka artikulime nganjëherë, kjo s’është akuzë por ju Profesor, se mund të ndodhë që po bëhet një zëvendësim i një elite me dikë tjetër që ka për ta shitur Kosovën… Nuk ndodh ajo… Kemi vepruar bashkë, qe 16 vjet pa ndalë. Apeli ynë është kjo kërkesë: ta ruajmë praktikisht këtë proces, duke e ndërtuar me poteza të tjerë!

Nexhat Daci: Nuk duhet pranuar konstrukte të tilla që janë të paqëndrueshme dhe të pavërteta, nuk duhen pranuar nga Grupi Parlamentar, por jo të mbetet Daci për një vit a për gjashtë muaj. Le të pastrohet kjo dhe le të më thuhet mua se nuk qëndrojnë të vërteta këto. Atëherë, ju e keni qëndrimin tim, atë që po kërkohet – ta ruajmë unitetin e partisë. Tërhiqem pa asnjë pengesë. Ju mund të votoni sipas ndërgjegjes tuaj, por jo mbi bazën e argumenteve që nuk qëndrojnë. Nuk është njerëzore as politike që të më thuhet ta marr një sakrificë mbi bazën e konstrukteve. Le të bëhet një vlerësim, pas dy javësh, pas një muaji. Nuk e kam asnjë fjalë kundër Kolë Berishë, as kundër askujt. Por, nëse e nënshkruan vendimin, është kryer me jetën tënde, morale e njerëzore. Po kërkoj këtë prej jush, sepse më duket se e meritoj. Në momente të krizave të mëdha dhe të sakrifikimit të vetes, kam qenë më ju. Lëshime ka… ato që thotë Fatmir Sejdiu… mund t’i gjeni edhe njëqind të tjera. Por, vendimi është marrë mbi bazën e argumenteve të konstruktuara, të pavërteta. Le të thuhet e vërteta, konsolidohuni, le të jenë dy javë, dy ditë, dhe më thoni që të shkoj… Nuk jam pengesë e proceseve. Ky është mandat prej të cilit Nexhat Daci nuk përfiton asgjë, sepse me vendim të Kryesisë së LDK’së Daci nuk dëmtohet pse shkon. Daci po ju lut për parime morale, njerëzore, politike. Ju si të doni. Unë me kënaqësinë time do t’i a uroj Kolës nesër. Le të kthehet kjo në parti, në Kryesi, lë të thuhen argumente të tjera, le të dilet në opinion, e mbledhim Grupin Parlamentar, në mbledhjen e ardhshme, në një seancë tjetër, e kryejmë punën unanimisht. Mendoj se kam të drejtë morale që ta kërkoj këtë, kolegët e mi. Kur ka dashur PDK dhe krahu i luftës që ta bëjnë LDK’në tradhtare në seancë plenare, unë e kam deponuar krejt fuqinë time… Sa herë që kanë dalë kundër Presidentit Rugova, nuk kam menduar fare për karrierën time, në të gjitha nivelet, vendore e ndërkombëtare… E kam atë të drejtë morale që të kërkoj prej jush një javë ose një seancë tjetër. Nuk po kërkoj për të mbetur në funksion. Unë dua që nesër Kolë Berisha ta ketë mbështetjen absolute, edhe timen. Kur është djegur Klina, kur i kanë përndjekur krejt, pa e njohur mirë, i kam dërguar selam – Kolë Berisha, e kam një kat të shtëpisë, merre familjen dhe eja, jetojmë bashkë. Nuk kam asgjë kundër. Ndershmëria nuk më ka lënë kurrë…Vazhdojeni punën dhe ecim bashkë. Edhe sot po them, respektojeni një dinjitet, mos u mundoni që me konstruktime ta njollosni dikë që ka qenë me ju. Po kërkoj ta shtyjmë një javë. Nëse edhe këtë nuk ma aprovoni, atëherë ndiqeni procedurën, nuk do të ndahem, do të jem deputet me ju. Kam pasur oferta enorme të mëdha, kolegët e mi, me para dhe pozita, në momentet më të vështira, për ta lënë LDK’në. Por, nëse kam rrezikuar një mijë herë, si edhe ju të tjerët, e kam atë të drejtë t’ju them – ju lutem mos merrni vendim sot, spastrojeni figurën e Dacit, e zëvendësojmë në mbledhjen e ardhshme. Nëse edhe kjo nuk bën, merrni vendim si të doni!

Nekibe Kelmendi: Po e shoh që çdokush po i përmend sakrificat e veta. Edhe unë kam sakrifikuar. Tre dëshmorë i kam dhënë. Prej fillimit jam në Kryesi të LDK’së. Sot kemi një rend ditë tjetër. Ju lutem mos na i lëndoni zemrat…

Alush Gashi: Kolegë deputetë, ka ardhur koha e përcaktimit. Në fillim ju luta që të mos vijmë në këtë pozitë. Nëse Kryetari Daci nuk është i gatshëm që t’i japë mbështetje zëvendësimit, atëherë duhet të votojmë. Sabri Hamitin e kemi kandidat për zëvendësimin e Fatmir Sejdiut në postin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në sallë janë 46 deputetë. Kush është “për”?… Kush është “kundër”?… Po e përsëris për s’di të satën herë… Kryesia e LDK’së nuk ka marrë vendim për shkarkim. Ka marrë vendim për zëvendësim. Ju lus që t’i bashkoheni këtij vendimi të Kryesisë së LDK’së. Nëse nuk i bashkoheni, duhet të marrim vendim këtu.

Besa Gaxherri: Ju po kërkoni që të votojmë… Ajo kërkesë që ka shkuar në Kryesinë e Kuvendit, automatikisht bie poshtë.

Alush Gashi: Kjo ka hyrë në rend të ditës…

Besa Gaxherri: Qy në rend të ditës… Mosni, bre, Profesor… Ne ju respektojmë shumë, por mos na ktheni në makina krejt. Edhe ne kemi dinjitet, edhe ne jemi njerëz. Aman mos na sillni në këtë pozitë…

Alush Gashi: Në cilën pozitë?

Besa Gaxherri: Po kërkoni të votojmë…

Alush Gashi: Ju lutem, këtë çështje e kemi nesër ne seancë plenare. Nëse Kryetari Daci i bashkohet vendimit të Kryesisë së LDK’së, dalim dhe e themi këtë. Nëse jo, ne votojmë këtu dhe me shumicë votash vendosim. Themi se vendimi i Kryesisë së LDK’së ka qenë në GP, por nuk ka kaluar, prandaj urdhëroni votoni në seancë plenare. Ky është Parlament. Nuk ka këtu asgjë konspirative. Ne kemi biseduar dhe duhet të marrim vendim. Unë nuk jam i bindur se GP e ka forcën për ta shtyrë vendimin e Kryesisë së LDK’së. Por, kjo mund të testohet. Nëse ju mendoni se Kryesia e LDK’së e ka gabim, atëherë votoni kundër. Unë nuk di mekanizëm tjetër. U bë debat tri orë dhe ne duhet të marrim vendim. E vetmja mënyrë për të marrë vendim – është të votojmë, meqë nuk pajtohemi të gjithë. Vendimi merret me shumicë… E kam lutur Kryetarin Daci shumë, po e lus përsëri…

Besa Gaxherri: Edhe ky po ju lutet…

Fadil Geci: Po lutemi që ta ktheni në parti këtë çështje. Po kërkoni vendim për ta shkarkuar Profesor Dacin… Kuku nanë…

Alush Gashi: Ju lutem, kemi ardhur në akt të votimit…. Kush është “për” propozimin….

Nexhat Daci: Kadale…

Alush Gashi: Ne mund t’ia bëjmë si ta do shpirti, me metoda që janë demokratike. Keni thënë – dua të vij për të dalë në vota aty. Nëse kjo është mënyra, në rregull. Nuk ka mekanizëm tjetër.

Fadil Geci: E dimë se në çfarë gjendje kemi ardhur në LDK. Rrini mirë… Dy figurat më të mira që i kemi përpara, me respektin më të madh, Nexhat Dacin dhe Kolë Berishën, po na kërkoni të votojmë… Çka të bëjmë tash ne?

Alush Gashi: Si çka të bëjmë? Duhet të bëjmë…

Besa Gaxherri: Jo, s’mund të bëjmë. Nuk mundemi…

Fadil Geci: Po qiky qitu e ka varrosë Rugovën në Shqipni… Mosni, se është marre… Ta heqim Nexhat Dacin, turp i madh është ky. Po ju lutet që t’ia jepni edhe një javë. Qëllimi ynë është që të ecim bashkë. Pse të mos merremi vesh mirë? Naim Jerliu me u vetë në parti… Mosni se e morët në qafë veten…

Alush Gashi: Kryesia e LDK’së është kjo që është, bre, Fadil…. Janë zgjedhjet, Fadil…

Fadil Geci: Kujt po i ngutet para zgjedhjeve? Kujt, more, po i ngutet?

Fatmir Sejdiu: Ngadalë, Fadil…

Fadil Geci: O Profesor Sejdiu, punën e 16 vjetëve të Presidentit Rugova, ta ka shkërdhy’ para syve ai mjekrra (Rexhep Qosja)… dhe i keni rrahë shuplakë…

Fatmir Sejdiu: Mos, se nuk është ashtu….

Fadil Geci: Jo të kemi pa…. Mos kërkoni që të votojmë… e të ndahemi… Jemi një familje…

Nexhat Daci: Ju lutem, mosni kështu. E lëmë nesër. Ju luta, kërkova një seancë tjetër, një javë, ose dy ditë. Nuk po them që ta ndërrojë vendimin LDK. Le të thuhet e vërteta, jo konstruksioni që është paraqitur. Dhe, njëzëri shkojmë… Po kërkoj që të hiqen ato që më njollosin mua dhe familjen time. Dhe, vijmë këtu, e votojmë njëzëri.

Alush Gashi: Ne e formulojmë tash këtë çështje. Këtë mund ta formulojmë këtu, si Grup Parlamentar. Ulemi dhe e shkruajmë dhe dalim së bashku…

Nexhat Daci: Le të mbetet për nesër në mëngjes, një orë para seancës, tash jemi nën presion. Shkruajeni dhe njëzëri e votojmë, o burra… Pse të shkoj me njolla…

Besa Gaxherri: Jo, s’do të shkojë këtu askush me njolla! Ose me njollë të vërtetë, ose hiç!

Alush Gashi: Jo me njolla… E formulojmë tash dhe themi… Askush në dynja nuk ju ka folur për antiamerikanizëm juve…

Nexhat Daci: Formulojeni nesër, në orën 9 e kryejmë…

Alush Gashi: A doni që ne ta formulojmë? Njeriu është i prekur në deklaratat publike. Ta formulojmë në këtë kontekst…. se GP LDK’së… njëzëri çmoi lart punën e Kryetari të Kuvendit Nexhat Daci… dhe për arsye të proceseve… GP mbështet propozimin…

Nexhat Daci: GP nuk i pranoi akuzat… e pastroi çështjen që këtë e ka kërkuar Brukseli e Washingtoni…

Alush Gashi: Po, po, po, është çështje e brendshme…

Nexhat Daci: Bëjeni në qetësi….

Alush Gashi: Një moment… A ka mundësi kështu… që ne u morëm vesh se çështja e zëvendësimit është çështje e brendshme e Kosovës. Pikë. GP në debat kundërshtoi të gjitha akuzat e dyshimet në adresë të Nexhat Dacit…

Nexhat Daci: Shumë mirë… dilni shkruajeni dhe ejani këtu…

Alush Gashi: Tekstin nuk e lëshojmë publikisht pa e pranuar Kryetari Daci.

(Pushim i debatit 45 minuta… formulohet deklarata)

Alush Gashi: Në takimin e GP të LDK’së, mbajtur më 9 mars 2006, u mor ky vendim:

1. GP çmon lart punën e deritashme të zotëri Nexhat Dacit si Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

2. GP i LDK’së thekson se Kryesia e LDK’së vendimin e vet për zëvendësimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci me Kolë Berishën, e ka marrë mbi bazë të informatës së pavërtetë se gjoja kjo është kërkesë nga Washingtoni dhe Brukseli. Pas debatit të gjatë të zhvilluar në GP të LDK’së, nuk është pranuar ky argument.

3. GP i LDK’së, për hir të vazhdimit të proceseve demokratike dhe të realizmit të vullnetit politik të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, i jep mbështetje unanime debatit të zhvilluar dhe pranon propozimin për zëvendësimin e Nexhat Dacit, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, me Kolë Berishën.

(Flasin të gjithë përnjëherë…)

Alush Gashi: Ngadalë, ju lutem. Kryetari Daci e pat pastrimin e emrit – që nuk është antiamerikan. Ju lutem, i shkruam këto gjëra, u morëm vesh, e formuluam bashkë. Esenca ishte që emrin e Kryetarit Daci, si antiamerikan, ta pastrojmë, sepse kjo nuk qëndron! Kjo u krye tash. Si një lojtar i mirë, që pas dy golave të mira, del në pauzë, dhe kthehet në lojën tjetër. Besoj që është më mirë. Të gjithë së bashku. Faleminderit. Shihemi.

Ngjarja paraprake

NEZIRI: Unë sot kontribuoj 10%, ndërsa lufta e UÇK-së në vitin 2001 i ka vulosur të drejtat e barabarta të shqiptarëve prej në Veles e deri në Karshiakë

Ngjarja e ardhëshme

Shkencëtarët kinezë na tregojnë si të mbrohemi nga koronavirusi kur shkojmë në tualet

të fundit nga Opinione