​Numër i madh i qytetarëve në tregun e veturave, pa maska e pa respektim të distancës

Një numër i madh i tregtarëve ishin vendosur sot në tregun e veturave në Prishtinë, ku kishin ekspozuar gjëra të ndryshme për të shitur. Shërbimin e bënin pa dorëza e maska, e edhe qytetarët që frekuentonin këtë treg ishin pa mjetet mbrojtëse.

Në këtë treg nuk respektohej as distanca fizike, ku kishte grumbullim të njerëzve, ani pse institucionet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë thirrje që masat të respektohen.

Abit Klinaku, tregtar që shiste pemë dhe perime, tha se ka dalë të shesë për mbijetesë, derisa ankohej se askush nuk është kujdesur për ta gjatë kohës së pandemisë.

Klinaku: Çmime nuk ka, po mundohemi të mbijetojmë

“Çmime nuk ka, po mundohemi të mbijetojmë, se gjatë kësaj pandemie tre muaj nuk kemi dalë. Kemi pasoja, nuk ka qenë kurrkush ngushtë për neve, tash kemi filluar pak”, tha ai.

Meqë qytetarëve po u shërbente pa maskë e dorëza, ai tha se është mërzitur me bartjen e tyre.

Klinaku: Jemi mërzit duke bartur maska

“Nuk di çka me të thënë, maskat jo bash mirë, jemi mërzitë edhe me to ngjit e ngjit, ne i bartim, konsumatorët jo”, tha ai.

Tregu i veturave kishte qenë i mbyllur për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ishte hapur në kuadër të lehtësimit të masave të fazës së tretë.