Vazhdon rritja e rasteve me Covid-19 në kryeqytet, konfirmohen edhe 32 raste pozitive

Në Prishtinë po vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë numri i rasteve pozitive me COVID-19, ku vetëm sonte janë konfirmuar edhe 32 raste pozitive, nga 62 gjithsej.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes komunikatës për medie, ku gjithashtu njoftoi se janë shëruar edhe 61 të infektuar me COVID-19.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 32 raste, komuna e Prizrenit 4 raste, komuna e Rahovecit 4 raste, komuna e Gjakovës 3 raste, komuna e Gjilanit 3 raste, komuna e Kamenicës 2 raste, komuna Lipjanit 2 raste, komuna e Mamushës 2 raste, komuna e Vushtrrisë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Podujevë, Skenderaj, Suharekë dhe Viti.

Gjithashtu, IKSHPK njofton se sot më 26 qershor 2020, janë shëruar 61 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.307 raste, kurse raste aktive 1.143.

Nga data 08 shkurt deri më 26 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 22.930 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.494 raste, me gjithsej 44 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.