Klopp në qiellin e shtatë pasi e siguroi titullin e kampionit

Trajneri gjerman i ka shpjeguar ndjenjat e tij pasi e siguroi titullin e parë të kampionit në formatin e ri të kampionatit anglez, duke e rikthyer titullin në “Anfield Road” pas plot 30 vjetësh

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp thotë se fillimisht ishte ndier “i zbrazët” pasi e siguroi titullin e kampionit në Premierligë.

Humbja e Manchester Cityt nga Chelsea 2:1 mbrëmë ia siguroi ekipit të tij titullin e kampionit, shtatë xhiro pa përfunduar sezoni aktual, i cili u ndërpre për tre muaj shkaku i pandemisë koronavirus.

“Reds” e dominuan absolutisht këtë sezon për ta fituar titullin pas 30 vjetësh pritjeje, ndërsa kanë 23 pikë më shumë se “Citizens” në tabelë.

Trajneri gjerman gjithsesi ndihet i lumtur me këtë arritje të madhe pasi vitin e kaluar e kishte fituar trofeun e Ligës së Kampionëve.

“Jam komplet i mbingarkuar. Nuk e di, janë ndjenja të përziera për gjithçka. Jam i liruar, jam i lumtur, krenar, nuk do të mund të isha më krenar për këta djem”, ka thënë Klopp për uebfaqen zyrtare të Liverpoolit.

“Për momentin nuk kam mundur të isha më i lumtur. Unë nuk do të mund të ëndërroja diçka të tillë si kjo. Nuk e kam pasur kurrë më parë një vit si ky, të jem i sinqertë. Ne ishim shumë afër në tri vjetët e fundit. Djelmoshat i bënë dy vjet e gjysmë të shkëlqyeshëm. Është një moment i mrekullueshëm, kjo është ajo që mund ta them tash”, përfundoi ish-trajneri i Borussia Dortmundit.