Gjashtë të plagosur në një incident në Glasgou të Skocisë

Gjashtë persona u plagosën gjatë një incidenti në Glasgou të Skocisë.

Policia e cilësoi incidentin “të rëndë” por tha se nuk po e trajton atë si terrorizëm.

BBC raportoi se dy persona mendohej se ishin vrarë me thikë, në një objekt që aktualisht është duke u përdorur për të strehuar azilkërkuesit.

Ndihmësi i shefit të policisë së Skocisë, Steve Johnson, tha se i dyshuari mashkull, u qëllua për vdekje nga policia.

“Gjashtë persona të tjerë janë në spital për trajtim, përfshirë një polic, i cili është në një gjendje kritike, por të qëndrueshme”, tha ai në një deklaratë.

Johnson gjithashtu tha se “në këtë kohë ne nuk po kërkojmë askënd tjetër në lidhje me këtë incident”.

Një dëshmitare e ngjarjes i tha Sky News se ajo kishte parë disa njerëz të mbuluar me gjak duke u trajtuar nga shërbimet e urgjencës.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, reagoi duke thënë se ai ishte i “trishtuar shumë nga incidenti i tmerrshëm” dhe se mendimet e tij janë me viktimat dhe familjet e tyre.

Javën e kaluar, tre persona u qëlluan për vdekje me thikë në një park në qytetin juglindor të Anglisë, Reading. Policia tha se ata po e trajtonin atë incident si terrorizëm.