Finalja e Ligës së kampionëve nën pikëpyetje

Lisbonë, 26 qershor 2020 (MEDIAL) – Tre xhirot e fundit të edicionit aktual të Ligës së kampionëve, që duhet të zhvillohen midis 12 dhe 23 gushtit në Lisbonë, janë nën pikëpyetje për shkak të shpërthimit të ri të epidemisë së koronavirusit në kryeqytetin portugez.

Qeveria e ka rikthyer karantinën për pjesën më të madhe të të ashtuquajturës “Lisbonë e Madhe”. Masa është e nevojshme për shkak të valës shqetësuese të rasteve të reja të testeve pozitive në periferi të qytetit.

Masa nuk vlen akoma për qendrën e Lisbonës. Janë përfshirë 19 nga 24 rrethet e “Lisbonës së Madhe”. Në to, njerëzit do të mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për nevoja esenciale, siç janë ushqimi dhe ilaçet, si dhe të udhëtojnë për në punë.

UEFA më 17 qershor konfirmoi se Lisbona do të jetë nikoqire e finales së formatit të ri të Ligës së kampionëve. E katërta e finales, gjysmëfinalja dhe finalja pritet të luhen në Lisbonë.

Finalja është planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Da Luzh” të Benfikës më 23 gusht. mb/

Таг