Drejtori sportiv i Werderit e konfirmon lajmin e keq për Rashicën

Ylli i Kosovës i Werder Bremenit, Milot Rashica, do të largohet nga klubi gjerman gjatë kësaj vere. Drejtuesit e klubit gjerman janë të vetëdijshëm për këtë, e në ndërkohë po e kërkojnë një zgjidhje.

Drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann e ka pranuar se Milot Rashica mund të largohet gjatë kësaj vere.

Interesim serioz për yllin kosovar kanë shfaqur klubet si Milani, Leipzigu dhe Hertha Berlini.

Duke folur për ndeshjen e fundjavës ndaj Kolnit, e cila do të jetë vendimtare për fatin e Werderit, Baymann është ndalur të flasë edhe për 23 vjeçarin, i cili me gjasë po i kalon javët e fundit të eksperiencës në “Weserstadion”.

“Ai dëshiron ta japë një lamtumirë të duhur. Nuk është sekret që Miloti e ka zgjuar interesimin e klubeve të tjera. Mbi të gjitha, ka pasur spekulime të shumta në ditët e fundit. Nëse një klub ka interesim konkret për të, do të takohemi dhe do ta gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Baumann për “Fussballtransfers”.