Vota e Diasporës. Ministri Pandeli Majko shpjegon mënyrën e votimit

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Drynjaja, ishte i ftuar ministri i Diasporës Pandeli Majko. Gjatë fjalës së tij Majko foli dhe për votën e emigrantëve, e cila u arrit në tryezën e Këshillit Politik, mes përfaqësuesve të mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare.

“Kodi zgjedhor nuk mund të jetë një rregullore teknike dhe për votimet brenda vendit ka urdhëresa, ka vendime të KQZ, ka detaje teknike, të cilat nuk janë të nevojshme të shkruhen në Kodin Zgjedhor, por janë nënprodukte të elementëve të ndryshme të vlerësimit të Kodit Zgjedhor dhe që në proces KQZ-ja merr vendimmarrjet e veta. Për rastin e votimit të shtetasve tanë jashtë vendit i është lënë më shumë hapësirë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një arsye, që unë e përkrah dhe që e ka cilësuar në mënyrë të veçantë, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Darmian Gjiknuri, ne nuk duhet ta lidhim KQZ me zinxhirët e asaj që shkruajmë në Kodin Zgjedhor, sidomos përsa i përket votimeve jashtë vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të ketë më shumë shkallë lirie, me qëllim që problemet teknike që do të dalin në proces e sipër ky komision të ketë më shumë hapësirë se sa me votimin brenda vendit. Mendoj që kjo është e arsyeshme, gjithsesi ne kemi për ta vlerësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve . Por lajmi më i mirë i të gjithë kësaj historie, ishte që edhe pas shumë aludimeve se opozita nuk do të binte dakord, se nuk do të kishte një marrëveshje, unë mendoj që është një vendim i jashtëzakonshëm marrëveshja dje e Këshillit Politik. Nëse është përcaktuar një koncept reforme e vërtetë përsa i përket Sistemit Zgjedhor në marrëdhënie me votuesit i Kodit Zgjedhor, ka qenë dje që u mor vendimi dhe kompromisi për pranimin e votës së shtetasve jashtë vendit”, u shpreh Majko.