Shqipëria kthehet me ndeshje në tetor, e konfirmon FSHF-ja

Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Armenisë më 7 tetor, në qytetin armen Jerevan. Federata Shqiptare e Futbollit e ka konfirmuar këtë ndeshje.

Pas ndeshjeve të vitit të kaluar kualifikuese për Kampionatin Evropiane, Kombëtarja e Shqipërisë do të kthehet në fushën e lojës pas 11 muajve, me ndeshjen miqësore kundër Armenisë.

 “FSHF bën me dije se kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndeshje miqësore ndaj Armenisë, më 7 tetor 2020, në kryeqytetin armen, Jerevan”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga FSHF-ja.

Shqipëria dhe Armenia janë përballur 5 herë në ndeshje zyrtare dhe miqësore në historinë e tyre. Ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve është luajtur më 9 nëntor 1996 në Tiranë dhe ka përfunduar në barazim 1-1.

Sfida ishte e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Francë 1998”. Takimi i kthimit është luajtur më 6 shtator 1997 në Jerevan dhe u mbyll me fitoren 3-0 për Armeninë.

Shqipëria dhe Armenia u përballën për të tretën herë në një miqësore të luajtur më 14 gusht 2013 në Tiranë, me kuqezinjtë që fituan me rezultatin 2-0.

Gjthashtu, dy përfaqësueset ishin në një grup në eliminatoret e Europianit “Francë 2016”. Në ndeshjen e parë të 29 marsit 2015, luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, Shqipëria fitoi në shifrat 2-1, ndërsa sfida e kthimit, e luajtur më 11 tetor 2015 në Jerevan, u mbyll me triumfin kuqezi 3-0.

Një ndeshje që shqiptarët e mbajnë mend mirë, pasi siguroi kualifikimin e kombëtares për në finalet e “Euro 2016”. Përveç miqësores, po në muajin tetor kombëtarja kuqezi do të zhvillojë edhe dy ndeshje zyrtare, të vlefshme për “UEFA Nations League”, ndaj Kazakistanit në transfertë, më 10 tetor, dhe ndaj Lituanisë po në transfertë, më 13 tetor”.