Konfrontim i ashpër

Kush e ka memorien e fortë, do ta kujtojë mirë tetorin e vitit 2018. Juventusi humbte në transfertë me Sasuolon dhe përfundonte 12 pikë poshtë Interit kryesues në renditje, duke dhënë idenë se diktatura bardhezi pritej të përfundonte pa nisur ende mirë sezoni. Por pas asaj sfide, Xhanluixhi Bufon vendosi që të bëjë një fjalim me tone të ashpra përpara të gjithë shokëve të ekipit, duke mos lejuar as ishtrajnerin Masimiliano Alegri që të ndërhyjë. Dhe pas asaj mbrëmjeje nisi kthesa e madhe e Juves, e shoqëruar me një seri fitoresh të frikshme, aq sa në fund diferenca -12 pikë e tetorit u shndërrua në një +12 kundrejt Napolit, për një titull kampion që i ngjasoi një shëtitjeje pas makthit fillestar.

Por e njëjta gjë ka ndodhur pas finales së humbur kundër Napolit, në Kupën e Italisë. Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, rikthimi pozitiv i Juventusit në Bolonja, një fitore e shoqëruar edhe me një lojë bindëse, nga minuta e parë e deri në të fundit, fshihte pas pikërisht një konfrontim të ashpër që ndodhi në dhomat e zhveshjes së stadiumit “Olimpiko”.

Edhe në këtë rast, në qendër të diskutimit ishin 3 senatorët e vjetër bardhezinj, Xhanluixhi Bufon, Leonardo Bonuçi dhe Xhorxho Kielini, “BBC”-ja e famshme, e cila duket qartë se vazhdon që t’i peshojë fjala.

Në Romë, mes shumë fytyrave të ngrysura, i pari e mori fjalën Bufoni, i cili konfirmoi se si dëshira e tij për t’u rikthyer te Juventusi dhe për të vazhduar së fituari trofe të rëndësishëm e kishte bërë që të vazhdonte të luante dhe të stërvitej fort edhe në moshën 42-vjeçare.

Pas Xhixhit, ndërhyrjen e bënë Bonuçi dhe Kielini, të cilët folën përkrah trajnerit Mauricio Sarri, i cili ishte marrë në shënjestër jo vetëm nga media, por edhe nga tifozët. Pas fjalimit, siç vazhdon të raportojë “Gazzetta dello Sport”, Bufon ka vendosur që të largohet vetëm me Ronaldon, i cili gjithashtu kishte shfaqur disa pakënaqësi dhe ankesa për rolin si numër 9 që Sarri kishte kërkuar të bënte. Por pas bisedës me veteranin dhe duke parë lojën e Kristianos në Bolonja, duket qartë se Xhixhi ka ditur të ulë edhe nervozizmin e portugezit dhe tashmë Juventusi shpresohet që të ketë gjetur rrugën e duhur, pas dështimit në kupë.