NASER ZYBERI: Të bashkohemi për kryeministrin e parë shqiptar (VIDEO)

Fjalimi i kandidatit për kryeministër të parë shqiptar, Naser Zyberi:

Bashkatdhetarët e mi, të dashur vëllezër dhe motra, të nderuar qytetarë, Jam shumë i nderuar dhe i entuziazmuar që qëndroj para jush dhe para qytetarëve të vendit tonësot si kandidati i parë shqiptar për Kryeministër në historinë e këtij vendi.

Vetëm disa javë më parë, askush nuk do të guxonte të mendonte për një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Tani, i gjithë vendi po flet për këtë dhe jo vetëm, po flet edhe rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar.

Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoiqë që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak. Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht ,u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova vet me vete se kjo jo vetëm që do të ndryshonte jetën time por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe.

Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë, dhe jo shumë kohë për ta menduar. Por,  çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale, andaj dhe thash: PO.

Publiée par Medial.mk sur Mercredi 24 juin 2020

Thash PO për tre arsye kryesore:

1)      PO, sepse unë besoj. Unë besoj në idenë e Kryeministrit të parë shqiptar dhe besoj se nuk është vetëm një nder, por gjithashtu një detyrë dhe një qëllim për t’i shërbyer kësaj ideje dhe për t’i shërbyer komunitetit tonë shqiptar dhe vendit tonë. Unë besoj se së bashku mund t’ia dalim.

2)      PO, sepse unë i kam kushtuar gjithë jetën time luftës për barazinë e shqiptarëve dhe të qyyetarëve të tjerë, për ta bërë jetën më të mirë për shqiptarët – si  anëtari parlamentit për Partinë e Prosperitetit Demokratik, si Ministër për Punë dhe Politikë Sociale, si nënkryetar i qeverisë, si avokat dhe gjatë viteve të kaluara edhe si kontribues në mendimin publik politik. Unë pata nderin të kontribuoja edhe në përpilimin e tekstit të marrëveshjes së Ohrit, që ishte fillimi i rrugëtimit tonë drejt të drejtave të barabarta në një shoqëri të barabartë. Edhe edhe pse Marrëveshja e Ohrit është duke u zbatuar, gjuha jonë tani është zyrtare dhe kemi bërë përparime të mëdha në shumë fusha të

shoqërisë sonë, ne ende nuk jemi plotësisht të barabartë. Ne përballemi me disavantazhe në punë, në drejtësi dhe në jetën e përditshme. Ne akoma nuk jemi të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në administratë dhe në pushtet. Eshtë koha për hapin përfundimtar, është koha për të shembur muret e fundit që e ndajnë shoqërinë tonë në dy pjesë: maqedonas dhe jo maqedonas. Eshtë koha për Kryeministrin e parë shqiptar.

3)      PO, sepse kjo ide është më e madhe se unë dhe çdo person. Është më e madhe se BDI dhe çdo parti. Unë nuk do të kisha pranuar të  isha kandidat partiak. As për BDI dhe për ndonjë parti tjetër. Meqenëse pavarësia ka qënë gjithnjë parimi im si kontribues politik, pavarësia do të jetë parimi im si Kryeministër. Një Kryeministër nuk duhet t’i shërbejë një partie. Ai duhet t’u shërbejë qytetarëve. Para se t’i jepja z. Ahmeti përgjigjen time përfundimtare, e pyeta për këtë dhe ai ishte më se i kënaqur me pyetjen. Kjo është ajo që ai e kishte në mendje gjithashtu – një kandidat i pavarur që do të jetë Kryeministër për të gjithë. Një kandidat që do të bashkojë të gjithë shqiptarët por akoma më shumë, do të bashkojë  Maqedoninë e Veriut.

Këto janë arsyet pse ndjehem i gatshëm dhe përgjegjës të angazhohem për këtë kauzë dhe të kandidoj për Kryeministër në emër të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, jam mirënjohës për besimin dhe gjithashtu guximin e gjithë juve. Asnjë parti tjetër në Maqedoninë e

Veriut nuk ka caktuar kurrë një kandidat të pavarur për këtë pozitë. Por kërkoj edhe besimin e partive të tjera shqiptare dhe ua shtrij dorën e bashkëpunimit, këtu, nga Prespa.

LSDM dhe VMRO tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre – ato janë të bashkuar kundër një Kryeministri shqiptar. Tani është koha për t’u bashkuar për partitë shqiptare. Jo kundër VMRO-së dhe LSDM-së, por për një Kryeministër shqiptar! Dhe personalisht  Z. Zaev dhe Z. Mickovski iu them: Ju nuk mund të mohoni të drejtën e shqiptarëve për të pasur një Kryeministër. Ju nuk jeni pronarët e vendit, por shërbyes të votuesve – dhe kjo përfshin edhe shqiptarët!

Qytetarët shqiptarë, por edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, janë ata të cilëve u kërkoj besimin. Sepse si një Kryeministër asnjë-anës, unë do të jem përgjegjës ndaj tyre dhe ndaj shtetit. Bashkim për barazi!Kjo është ajo që na nevojitet. Së bashku, ne mund t’ia dalim. Së bashku mund t’i bëjmë shqiptarët të barabartë në Maqedoninë e Veriut.

Unë besoj në një shoqëri plotësisht të barabartë dhe besoj në bashkim. Kur isha në politikë, ne shqiptarët kemi qenë të bashkuar për të drejtat tona. Po, kishim dallimet tona, por kur u bë fjalë për një çështje madhore, ne qëndruam së bashku dhe luftuam së bashku. Në politikë dhe në luftë. Kështu fituam. Lufta jonë për barazi ishte më e madhe se interesat e një partie. Ne nuk jemi më në luftë, por prapëseprapë ndeshemi me sfida të përditshme. Dhe ne e dimë, se vetëm të bashkuar, ne mund t’i kapërcejmë këto sfida. Është detyra jonë, të ndërtojmë një shoqëri për fëmijët tanë, ku ata të mund të jetojnë në paqe dhe mirëqenie, ku ata të mund të realizojnë ëndrrat e tyre, ku ata kanë shanse të barabarta. Është detyra jonë të ndërtojmë një vend, nga ku fëmijët tanë nuk kanë nevojë të emigrojnë, sepse ata kanë të njëjtat mundësi , pse jo edhe më të mira këtu, ku kanë lindur dhe ku kanë shtëpinë.

Është detyra jonë të krijojmë një shoqëri mundësish, ku etnia nuk është më një kufizim – pa marrë parasysh nëse je shqiptar, turk, boshnjak, rom apo vllah, por është një pasuri. Kjo është ajo që synon mbi të gjitha ideja e një Kryeministri Shqiptar . Një e ardhme më e mirë për të gjithë, një shoqëri e barabartë dhe një sinjal për botën, që Maqedonia e Veriut është e gatshme për Evropën, që ne guxojmë ta mbajmë historinë në mendjet dhe zemrat tona , por për të ndërtuar një të ardhme së bashku!

Maqedonasit nuk duhet ta shohin barazinë si kërcënim. Askush nuk dëshiron të marri asgjë prej tyre – përkundrazi, barazia do të na shërbejë të gjithëve dhe ta çojë vendin tonë përpara. Unë dua të ftoj madje të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të cilët janë të ngopur nga politika maqedonase, e cila në thelb është vetëm një luftë e përjetshme mes dy partive kryesore, të bashkohen me idenë e një Kryeministri asnjanës, i cili do të vendosë interesat e partisë mënjanë dhe do t’i shërbejë qytetarëve.

Sot, fillojmë udhëtimin në një epokë të re. Ne fillojmë me një ëndërr të madhe për barazi, për shpresë. Ne fillojmë me ambicie të mëdha për të ndryshuar të gjithë sistemin politik në Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë fund binomit të pushtetit, i cili e ka mbajtur vendin tonë të mbërthyer në luftëra politike.

Vetëm disa javë më parë as nuk do të kisha menduar për një Kryeministër Shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky pozicion ishte disi i rezervuar për maqedonasit, madje edhe në mendjen tonë.

Por pse jo? Pse nuk duhet që Kryeministri të jetë shqiptar? Ne mund ta realizojmë këtë. Sa më shumë njerëz të mund të entuziazmohen për këtë ide, sa më shumë besojmë në të, aq më shumë ka mundësi të ndodh.

Arritjet e mëdha gjithmonë fillojnë me ëndrra të mëdha. Të bashkuar, ne do ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, ku shqiptarët mund të arrijnë gjithçka. Madje të bëhen kryeministër.

Unë besoj! Unë guxoj të ëndërroj dhe realizoj ëndrrën! Le ta realizojmë ëndrrën së bashku! Le ta shkruajmë historinë së bashku!