Lumenj të dalur nga shtrati në rajonin e Tetovës, e pakalueshme rruga Tetovë-Jazhincë afër Dobroshtit

Tetovë, 24 qershor 2020 (MEDIAL) – Reshjet intensive të shiut mbrëmë shkaktuan rritje të përnjëhershme të niveleve të ujit tek disa lumenj në rajonin e Tetovës, të cilët dolën nga shtrati dhe vërshuan rrugë dhe shtëpi. Sipas informatave fillestare, disa fshatra në komunat Tearcë dhe Jegunoc mbrëmë janë vërshuar për shkak të derdhjes së lumenjve.

Derdhja e lumit Gabrovc është shkak për vërshimin dhe shtresën e dheut, baltës dhe drunjve në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë mes fshatrave Dobrosht dhe Odri.

“Rruga Tetovë-Jazhincë është e pakalueshme mes Dobroshtit dhe Odrisë për shkak të derdhjes së lumit. Po punohet në mënjanimin e shtresave të dheut, baltës dhe drunjve”, kumtoi Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës në profilin e tij në Fejsbuk.

Banorët e Dobroshtit informojnë se për shkak të vërshimeve është dëmtuar asfalti i korsisë në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë. Banorët e Jegunocit informuan se në fshatin e tyre ka shtëpi të vërshuara. ab/