UNICEF: Pandemia mund t’i fusë në varfëri 120 milionë fëmijë në Azinë Jugore

Sipas agjencisë ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF, 120 milionë fëmijë në Azinë Jugore rrezikohen nga varfëria për shkak të përhapjes së vazhdueshme të koronavirusit.

Azia Jugore, ku banon rreth një e katërta e popullsisë botërore, ka shënuar rritje të madhe të numrit të rasteve të koronavirusit në javët e fundit. Në Indi, kjo shifër ka shkuar në mbi 440,000 persona.

Në raportin e kësaj agjencie theksohet se ndonëse fëmijët janë më pak të rrezikuar nga virusi, ata po prekën shumë në një aspekt tjetër, të ndikuar nga pasojat ekonomike dhe sociale të izolimit dhe të masave tjera që janë marrë kundër përhapjes së pandemisë.

Në tetë shtetet e përmendura në raport – Afganistani, Pakistani, India, Nepali, Butani, Bangladeshi, Maldivet dhe Sri-Lanka – rreth 240 milionë fëmijë tashmë jetojnë në varfëri shumëdimensionale, ku përfshihen shëndeti i dobët, mungesa e shkollimit, kushtet e dobëta sanitare dhe cilësia e dobët e punës për të rriturit.

Sipas raportit, pandemia tash mund t’i shtyjë drejt varfërisë edhe 120 milionë fëmijë të tjerë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.