Thirrje për reflektim qytetar

Ajo që ka ardhur koha të na shqetësoj është edhe fakti nëse po bëhet politikë profesionale dhe e bazuar në teoritë shkencore dhe parimet e demokracisë. Pra, se cilat janë doktrinat me të cilat po bëhet politika parlamentare nga deputetet e zgjedhur nga vota qytetare dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetrore!? 

Sot, u pa se në kuvendin e Republikës se Kosovës, nuk mendohet për mirëqenien qytetare por udhëhiqen nga inatet primitive e fanatike të partive apo grupeve politike, veti tipike e mendësisë rurale apo kulturë rrugësh urbane. 

Edhe atëherë kur duhet të miratohen marrëveshje për përfitim të “pakove” për rimëkëmbje ekonomike, që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve, të zgjedhurit me votën e popullit udhëhiqen nga doktrina “për inat të sime re vdektë im birë”, duke shkuar deri atje që të qojnë vendin se prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme sikur të mundën, më shkarkim të qeverisë së radhës me mocion mosbesimi dhe kjo është edhe gjuha e debatit të tyre. 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë formula e vazhdimit të mbetjes në skenë e pushtet i të njëjtës kastë politike. Kjo vije si rezultat i frikës së depërtimit të frymës dhe mendësisë së re politikbërëse që duhet të jetë largë mendimit brenda një harku të mbyllur ideologjik siç kemi parë deri me sot. 

Nuk mendojnë fare për gjendjen reale të qytetarëve, qoftë pandeminë nga infeksioni me Covid 19 që tashmë ka përfshirë masivisht qytetarët dhe sipas deklarimit të Dr, Sali Ahmeti “kurrë gjendja më e rënde s’ka qenë në Klinikën infektive”,  pastaj gjendjen sociale dhe papunësinë, e së fundmi edhe tendencat për të minuar edhe bisedimet që pritet të zhvillohen në Washington.

Në parlament, u shfaqen inate infantile dhe një papjekuri apo mungesë koshiencë edhe në prezantimin e subjekteve të ndryshme, zhurmuesve të ryre që janë peng të inateve histerike dhe që aty duket se janë vetëm për hakmarrje politike mes tyre dhe bllokim të funksionimit institucional. 

Këta persona që reflektojnë padituri dhe injorance fanatike e fanatizëm primitiv,  duhet të marrin dënimin qytetarë kurdo që pretendojnë të ballafaqohen me vlerësimin e tyre. 

Këta mjeranë po harrojnë se parlamentin dhe fuqinë parlamentare nuk e përbëjnë vetëm numrat por mekanizmi me të cilin operon demokracia si formë regjimi politik është konsensusi për çështje kapitale për qytetarët dhe vendin.

Ajo që meriton të vlerësohet është pajtueshmëria dhe gjuha e unitetit me të cilën u akorduan dhe do të vejnë në SHBA ekipi përfaqësues për bisedime, dyshja Presidenti dhe Kryeministri që zotohen që të prezantohen me flamurin e unitetit politik dhe integritetit të Kosovës.

Besimi është mjeti më i mirë për të gënjyer. Deputetet dhe përfaqësuesit e niveleve tjera politike nuk po tregohen më si qenie humane por janë kthyer thjeshtë në mekanizëm politik apo armë të politikës, asgjë më shumë.

Ajo që duhet të urojmë është që në Wahington të tejkalohet bllokada në të cilën për mbi një dekadë po na mbajnë ekspertet politik si lehtësues të bisedimeve serbo-kosovare/shqiptare në nivel evropian. 

Me një përjashtim sa i përket Austrisë dhe Kroacisë, nuk duhet të na shqetësoj aspak hatërmbetja diplomatike dhe terminologjia e pa/kuptueshme kërcënuese e liderëve apo të fuqishmëve të Evropës.  Inkurajues është fakti se sot, po andej kah i erdhi mbështetja për të krijuar identitetin e vet historik dhe pavarësinë kombit shqiptarë, pra nga SHBA dhe sot Kosova po kthehet në agjendën e zgjidhjes amerikane për shtetësinë e saj ashtu siç ishte sponzorizues i luftës për liri, dhe pavarësisë, tani të ndihmoj bërjen funksional të shëtit të Kosovës si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në nivel të Kombeve të Bashkuara.

Këto objektiva mund të shtrohen dhe përfaqësohen vetëm nga ata që i dijnë prejardhjet politikë në nivele globale nëse jo në distanca historike atëherë në distanca politike që nga promovuesit e filozofive politike të djathta e të majta në SHBA dhe Botë, siç konsiderohen diplomatet Kissinger dhe Berzezinski të cilët pa asnjë dyshim e kanë ndikimin në orientimin e interesave gjeostrategjike dhe gjeopolitikë për kombin tonë. Pikërisht në këtë kontekst ka shumë rendësi se kush përfaqëson institucionet dhe politikbërjen në vendin tonë.

Përfundimisht është momenti të reflektojmë si qytetarë për votën tonë dhe kë përzgjedhim që ta na përfaqësoj në institucionet që duhet të rregullojnë jetët tona dhe të ardhmen e vendit e fëmijëve tanë.