Nisi transporti detar, largohen rezidentët në BE, kthehen shqiptarët e bllokuar

Me mbylljen e kufijve nga Mali i Zi,  tragetet me Italinë janë tashmë rrugë lidhesë e Shqipërisë me vendet e BE.

Udhëtimet e para ndërkombëtare nisën mbrëmjen e të hënës nga Durrësi e Vlora, ku pasagjerët ishin të paktë dhe lëvizja bëhet mbi bazë të protokolleve anti kovid!

Të paktë në numër, pasagjerët u paraqiten në porte me maska bazuar në protokollin anti kovid.

Para se të nisin imbarkimin në tragetet e linjave me Italinë, plotësuan një formular dhe iu mat temperatura!

Sipas protokollit, kush kishte temperaturë mbi 37 gradë nuk do të lejohej të udhëtonte.

Por në ditën që shënoi fazën e parë të nisjes së udhëtimeve ndërkombëtare detare nuk pati persona të dyshuar me koronavirus.

“Përpara se të nisen u masim temperaturën. Nëse ëhstë mbi 37 gradë nuk lejohen të udhëtojnë.”

Në këtë fazë, udhëtimet me traget në dalje nga Shqipëria janë të lejuara vetëm për rezidentet në vendet e BE, diplomatët dhe të sëmurët që do të kurohen në spitale evropiane.

“Po shkojmë në Itali.”

Mbrëmjen e së hënës nga Durrësi u nisen 2 tragete, me 1 të 10 e kapaciteteve.

Ndërsa në Vlorë në udhëtimin e parë drejt Brindizit ishin vetëm 22 pasagjere dhe 20 kamionë mallrash.

Por ndërsa nga Shqipëria mund të dalin vetëm disa kategori, hyrja nga deti është e lirë.

Mëngjesin e së martës në Durrës mbërriti trageti i parë me pasagjerë shqiptarë e të huaj.

Disa kishin mbetur të bllokuar në vendin fqinj, ndërsa të tjerë thanë se u kthyen për pushimet e verës apo rinovimin e dokumenteve të skeduara.

“Jetoj në Itali.” 

Transporti ndërkombëtar detar e ajror do të jetë i kufizuar vetëm për disa kategori deri më 1 korrik, ditë kur pritet të hapet për të gjithë!