Majko paralajmëron Bashën: Bëjini llogaritë mirë! “Ariu” që keni përballë nuk është Rama, por e gjithë Partia Socialiste

Pandeli Majko tha mbrëmjen e së martës se qytetarët janë të mençur dhe ‘llogaritë’ që bëjnë për qeverisjen e ardhshme lidhen me interesat e tyre afatshkurtra.

Ministri për Diasporën deklaroi se PS ka ambicie për një mandat të tretë, teksa tha se partia e tij nuk ka asnjë debat apo konflikt brenda saj.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, Majko pati edhe një paralajmërim për drejtuesin e opozitës.

“Kemi një opozitë jo të unifikuar. Nëse shohim opozitën sot brenda në Kuvend e jashtë parlamentit, kanë këndvështrime të ndryshme. Opozita duhet ta shikojë me seriozitet se çfarë ariu ka përballë dhe ariu është Partia Socialiste dhe jo Edi Rama. Ariu po forcohet. Ne nuk kemi frikë nga diaspora.

Kjo sepse diaspora do ndryshime e nuk do status quo. Ne jemi sot në pushtetet lokale të gjitha. Kemi pra më shumë pushtet sot. Mandati i tretë do jetë shumë i lidhur me negociatat e BE. Një pjesë e administratës duhet që të shikohet. Kapacitetet europiane të Shqipërisë kërkojnë rivlerësim”, tha Majko.