Lojtari i Bundesliga 2 në dispozicion të Kombëtares së Kosovës

Federata e Hendbollit të Kosovës vazhdon të angazhohet në përpjekje për të rritur konkurrencën në ekipet kombëtare të Kosovës në hendboll. U takon përzgjedhësve dhe shtabeve teknike që të bëjnë përzgjedhjen e lojtarëve, por rritja e konkurrencës vlerësohet me shumë rëndësi.

Armend Alaj është lojtari i radhës që është vënë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës. Alaj është pjesë e skuadrës gjermane, ThSV Eisenach, që garon në Bundesliga 2, që shquhet për nivelin që ka.

Alaj ka pasur shtetësi të Kosovës, ndërsa së fundi ka aplikuar edhe për pasaportë të Kosovës.

“Për mua do të ishte nder i madh nëse selektori do të më ftonte në ekipin kombëtar. Vitin e kaluar Taip Ramadani ka sinjalizuar për një interes për mua dhe për vëllaun tim, Qëndrimin, që gjithashtu luan hendboll dhe ka marrë pjesë në disa stërvitje të organizuara nga FHK-ja. Mirëpo disi ka humbur kontakti”, ka thënë Armend Alaj.

Ai shpreson se do të marr ftesë nga Kosova dhe se mund të jap kontribut në ngritjen e mëtejme të cilësisë.

“Unë jam lojtar që gjuaj me të dy duart. Mund të paraqitem në shumë pozicione. Zakonisht luaj alo e djathtë, por edhe alo e majtë dhe në pozitën qëndrore”, ka treguar Alaj.

Ai merret me hendboll që nga mosha 8-vjeçare. Klubi Eisenach është tradicional, ka 30-vjet që luan në Bundesliga 1 apo Bundesliga 2. Alaj ka kaluar të gjitha grupmoshat te ky klub.

“Më pas dy vjet kam luajtur në ligën e katërt, në klubin Goldbach. Si i ri kam qenë edhe reprezentues i landit të Thueringenit në kampionatet gjermane. Pastaj jam kthyer prapë në Eisenach në ligën e tretë dhe vitin e kaluar prapë në ligën e dytë federative të Gjermanisë. Vitin e kaluar kam qenë i rregullt në stërvitje dhe kam pasur shtatë paraqitje për klubin nën drejtimin e trajnerit me famë botërore, Sead Hasanefendiq, prej të cilit kam mësuar shumë. Nuk kam qenë edhe aq shumë i kënaqur me hapsirën, por konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Klubi mori lojtarë nga Liga e Kampionëve kështu që kisha më pak shanse të tregoj talentin ti. Mirëpo mundësitë i kam shfrytëzuar maksimalisht dhe klubi ka qenë i kënaqur me mua”, ka treguar 25-vjeçari, që me prejardhje është nga Deçani.

Ai ka kontratë që edhe edicionin e ardhshëm të luajë për Eisenachun në ligën e dytë gjermane.