Gjermania e kthen në izolim një distrikt pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus

Gjermania për herë të parë që nga lehtësimi i masave në maj e ka kthyer në karantinë një distrikt të tërë për shkak të përhapjes së koronavirusit në mesin e punëtorëve të një thertoreje.

Nga masa e re kufizuese do të preken rreth 360,000 banorë në qytetin Gütersloh. Me këtë rast, do të kthehen rregullat për distancim social dhe do të mbyllen kafenetë, muzetë dhe pishinat.

Ky vendim erdhi pasi mbi 1,500 punëtorë të thertores “Tonnies” dolën pozitivë në testin për koronavirus.

Armin Laschet, kryeministër i rajonit Nordrhein-Westfalen, të martën tha se masat e izolimit mund të lehtësohen pas datës 30 qershor, posa të vendoset kontrolli ndaj infeksioneve.