A do ta shpalos ALI AHMETI nesër kandidatin për kryeministër?!

Shkup, 23 qershor – Nesër edhe zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 5 korrikut, ndërsa po nesër pritet ë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga Prespa, të shpallë emrin e kryeministrit të parë shqiptarë.

Konventa zgjedhore e kësaj partie nis në Njësinë zgjedhore 5, në të cilën bartës liste është kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Nëse i referohemi deklaratës së fundit të liderit të kësaj force politike, Ali Ahmeti, se në Konventën e fushatës do të prezantohet edhe kandidati shqiptar për kryeministër, si dhe fillimit të fushatës nga zona zgjedhore numër pesë, atëherë mund të konstatohet se pikëisht nesër do të publikohet emri i shumëpritur i kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët drejtojnë poste udhëheqëse si gjyqtarë të gjykatës supreme dhe kushtetuese, ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme si dhe institucionet kyçe shtetërore bashkë edhe me kryetarin e parlamentit. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton.

Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë.

Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar”, tha ditë më parë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar.

“Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të prirë!

Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Disa mund ta quajnë këtë ide të parealizueshme. Disa mund edhe ta përqeshin besimin tonë në realizimin e ëndrrës së shumë shqiptarëve.

Kjo, megjithatë është diçka e mirë. Kur dikush ta mohon ëndrrën, të bën që të punosh akoma më shumë për ta realizuar…”, kishte shtuar Ahmeti.

Në ndërkohë, këto ditë ishin realizuar bisedime intensive me grupe të ndryshme, intelektualë, profesor…për emrin e mundshëm për kryeministër shqiptar.

Ahmeti në disa raste kishte përmendur se kandidati për kryeministër do të jetë mbipartiak dhe u kishte bërë thirrje partive shqiptarë që ta mbështesin propozimin, megjithëse të njëjtat ishin rreshtuar në krahë të VMRO-së dhe LSDM-së kundër idesë së BDI-së për kryeministër shqiptar.