Pronarët e restoranteve në Malishevë sfidojnë shtetin, organizuan dasma në fundjavë

Edhe pse institucionet përgjegjëse ende nuk kanë lejuar hapjen e restoranteve, në komunën e Malishevës nuk e kanë pasur problem fundjavën e kaluar të thyejnë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së, pasi disa restorante kanë organizuar dasma.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Malishevë, Dibran Kastrati, ka konfirmuar këtë gjë.

“Gjatë kësaj fundjave kemi pasur raste të tentimit të organizimit të dasmave dhe ahengjeve tjera, dhe për këtë qëllim, së bashku edhe me Policinë e Kosovës, jemi detyruar të ndërhyjmë në ndërprerjen e tyre. Edhe njëherë apelojmë tek pronarët e lokaleve hoteliere, por edhe tek qytetarët, që të vazhdohet me zbatimin në përpikëri të masave dhe vendimeve qeveritare, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Kastrati.

Ai, edhe njëherë ka sqaruar opinion e gjerë dhe pronarët e lokaleve, se organizimi i dasmave dhe ahengjeve, nuk lejohet, pasi institucionet përgjegjëse shëndetësore, i kanë ndaluar, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, dhe kjo është një prej masave për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Ne si inspektorat jemi të detyruar të veprojmë për zbatimin e këtyre masave, prandaj, të bëjmë edhe pak durim në tejkalimin e kësaj situate pandemike me virusin korona dhe të mos bëhemi shkaktar të përhapjes eventuale të virusit. Në komunën tonë, ka kohë që është një situatë stabile dhe nuk kemi raste aktive me COVID-19, dhe kjo është meritë e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve që janë të angazhuar në menaxhimin e situatës me COVID-19, si dhe në parandalimin e përhapjes së virusit, dhe për këtë ne duhet të tregojmë ende kujdes”, ka thënë Kastrati, thuhet në njoftimin e komunës së Malishevës.

Inspektorati komunal në Malishevë, thotë se ka kërkuar nga pronarët e lokaleve, që të respektojnë vendimet dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për shëndetësi.