Mytaher Haskuka me një mesazh për qytetarët e Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizerenit Mytaher Haskuka përmes një postimi në Facebook ka treguar se ka kërkuar nga Inspektoriati Komunal dhe Policia e Kosovës që të monitorojnë implementimin e masave nga ana e bizneseve, ku mbajtja e maskave është obligative.

Ai ka thënë se si Komunë e Prizrenit ka ndërmarrë hapat për mbrojtjen e stafit administrativ, në mënyrë që edhe shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje.

Postimi i tij në Facebook:

Të dashur qytetarë,

Që nga fillimi i pandemisë me virusin SARS-CoV-2 në Kosovë janë identifikuar 2.169 raste pozitive, me gjithsej 36 raste të vdekjes. Sipas statistikave, në komunën tonë në total kemi pasur 216 të infektuar, prej të cilëve 117 janë shëruar, 5 persona kanë vdekur, kurse aktualisht kemi 94 raste aktive.

Por brengosës është fakti që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kemi raste të identifikuara në klinikat infektive, kurse i atyre të identifikuara nga gjurmimet është duke rënë. Kjo po ndodh për shkak se ka kërkesa të mëdha për teste, ndërkaq numri i testeve që po bëhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për ata që nuk kanë simptome, po zvogëlohet.

Ne si Komunë e Prizrenit kemi ndërmarrë hapat për mbrojtjen e stafit administrativ, në mënyrë që edhe shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje. Po ashtu kam kërkuar nga Inspektorati Komunal dhe Policia e Kosovës që të monitorojnë implementimin e masave nga ana e bizneseve, ku mbajtja e maskave është obligative.

Me lehtësimin e masave kolektive tani mbrojtja ndaj virusit mbetet obligim individual i çdonjërit qytetar. Ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani maska në publik, mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.

Më e rëndësishmja në parandalimin e përhapjes së virusit është që çdo person, i cili ka ndonjë nga simptomat e COVID-19, të vetëizolohet dhe ata që dyshojnë që janë të infektuar të paraqiten në numrin emergjent 038 200 80 800.

Image