Mbrojtësi shqiptar ka refuzuar ofertat nga Kosova

Egzon Bejtullai edhe zyrtarisht është emri i parë i angazhuar nga drejtuesit e Shkëndijës në merkaton e verës.

Vetëm 6 muaj pasi firmosi në Suedi me Helsingborgs IF, “kuqezinjtë” e kthejnë në skuadër njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm në 6 vitet e fundit, duke firmosur kontratë tre vjeçare.

Në intervistën e parë pas ribashkimit me Shkëndijën, Bejtullai ka folur edhe për ofertat që ka pasur nga Kosova dhe Shqipëria.

“Jo aspak, për mua gjithmonë Shkëndija ka pasur përparësi. Edhe pse kisha oferta edhe nga jashtë, përfshi edhe vendet fqinje si Kosova dhe Shqipëria, synimi im ishte të qëndroj sa më pranë familjes dhe për atë shkak jam kthyer këtu për të qenë sa më afër familjes.” – është shprehur Egzon Bejtullai.

Gjatë periudhës së kaluar në Shkëndijë, Bejtullai ishte pjesë e sukseseve më të mëdha në historinë e klubit, duke fituar 2 tituj kampion, 2 trofe të Kupës, ndërsa ishte në mesin e lojtarëve kryesorë edhe në sukseset në Kupat e Europës ku kuqezinjtë në vitet 2016, 2017 dhe 2018 tre herë rresht arrinin në fazën play off të UEFA Europa League.