Kundërshtuan Partinë Konservatore të Britanisë, Johnson kishte përjashtuar 21 anëtarë që kishin poste të larta në qeveri

Dy ish-kancelarë, nipi i ish-kryeministrit Winston Churchill, një ish-ministër i Biznesit dhe një grumbull zyrtarësh të tjerë ishin përjashtuar nga Partia Konservatore e Britanisë së Madhe për shkak të dallimeve në qëndrime. Kjo masë ishte marrë në shtator të vitit të kaluar.

Në Londër dhe më gjerë, njerëzit ishin të shokuar me vendimin e kryeministrit Boris Johnson për përjashtimin e konservatorëve të rebeluar, të cilët kishin dalë kundër urdhrave të udhëheqësisë dhe i kishin përkrahur nismat e Kuvendit për ta shmangur Brexit-in pa marrëveshje me BE-në.

Përjashtimi i Kenneth Clarke, që ka qenë deputet për 49 vjet dhe ka shërbyer më së gjati në mënyrë të vazhdueshme në Dhomën e Ulët, dhe Nicholas Soames, anëtar i familjes Churchill dhe deputet nga viti 1983, po rrezikojnë ta kufizojnë aftësisë joshëse të partisë në pushtet, duke e kthyer atë në një fraksion të ngushtë, të udhëequr nga Brexit-i.

Një numër kaq i madh i deputetëve nuk është larguar përnjëherë nga një parti politike që nga viti 1981, kur ishte themeluar Partia Socialdemokrate dhe kur 28 deputetë laburistë kishin kaluar te grupi i ri i qendrës, shkruan “Financial Times”.

Hera e fundit kur një grup i konsiderueshëm i konservatorëve ishte përjashtuar nga partia ishte gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur 10 deputetë ishin përjashtuar për shkak se kishin refuzuar ta përkrahnin qeverinë e atëhershme të John Majorit për shndërrimin e Traktatit të Maastricht-it në ligj.

Partia humbi dekada të përvojës politike brenda natës. Clarke ishte një nga reformatorët më të mëdhenj të Margaret Thatcher-it, që më vonë shërbeu në kabinetet e Sir John-it dhe David Cameron-it. Philip Hammond ka qenë anëtar i Partisë Konservatore qe 43 vjet, duke shërbyer së voni si ministër i Jashtëm, ministër i Mbrojtjes dhe kancelar.

Ka pasur fjalë mes politikanëve të rebeluar se ata në zgjedhjet e ardhshme mund të garojnë kundër partisë së tyre të vjetër si konservatorë të pavarur. Një burim që ka njohuri rreth qëndrimeve të grupit të politikanëve të përjashtuar ka parashikuar se disa prej anëtarëve të këtij grupi nuk do të tërhiqen nga skena publike.