Detaje nga atentati ndaj Ardian Çapjas, ekspertiza e RENEA-s: U qëllua nga 346 m largësi

Detaje nga atentati ndaj Ardian Çapjas, ekspertiza e RENEA-s: U qëllua nga 346 m largësi

Zbardhet ekspertiza e specialëve të forcave RENEA për atentatin ndaj Ardian Çapjas.

Në ekspertizën e siguruar nga News24 përcaktohet distanca prej nga qëlloi snajperisti.

Bëhet fjalë për një largësi prej 346 metrash nga e cila është shënjestruar dhe më pas qëlluar 55-vjeçari, i cili u plagos rëndë por arriti t’i mbijetonte atentatit të tretë ndaj tij.

Në ekspertizën e kërkuar nga Prokurorët e Elbasanit, thuhet gjithashtu se Ardian Çapja u qëllua nga Kodra e Krastës.

Materiali i përgatitur nga RENEA është bërë pjesë e dosjes hetimore. 55-vjeçari, mësohet se nuk ka dhënë asnjë ndihmë për policinë dhe prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes pas daljes nga spitali.

Atentati ndodhi më 8 qershor kur Çapja ndodhej në një rrugicë jashtë banesës dhe u qëllua me një plumb në shpatull, shumë pranë zemrës. Ai u mjekua në Spitalin e Traumës për shkak të gjendjes së rëndë.

Autorët dogjën mjetin dhe armën në një zonë të pyllëzuar në periferi të Elbasanit. Policia ka shoqëruar disa persona për ngjarjen dhe ka dyshime se atentati ka ardhur për shkak të konflikteve nga e kaluara.